Një dite pasi kreu i opozitës i drejtoj akuza  dhe njëkohësisht i bëri apel Komisionit Qendror të Zgjedhjeve të mos asgjësoj materialet zgjedhore të 28 Qershorit, kryetari këtij institucioni ka reaguar.

Duke u pozicionuar larg deklaratave politike, Arben Ristani, ka deklaruar se KQZ do të mbështetet vetëm në ligj për të vepruar për djegien e procesverbaleve dhe fletëve të votimit të përdoruara në zgjedhjet e fundit.

Arben Ristani: “Kodi zgjedhor parashikon se Komisioni Qendror i Zgjedhjeve pasi përfundojnë zgjedhjet hap kutitë e votimit. Ato materiale që duhen dërguar në arkivin e shtetit, dërgohen në arkivin e shtetit, ato materiale që nuk duhet asgjësohen. Ky është përcaktimi, është një përcaktim pa afat, por që veprohet menjëherë pas përfundimit të zgjedhjeve në këtë rrugë. Megjithatë na dikton për të vepruar në këtë rrugë edhe nevojat e momentit, pasi në rast se do të na duhen kuti të lira për të zhvilluar zgjedhjet që presim, sigurisht që do t’i boshatisim dhe do t’i bëjmë gati për zgjedhjet që priten. Janë 64 qendra votimi kështu që bashkë me kutinë e materialeve zgjedhore bëjnë rreth 130 kuti. Megjithatë unë ju thash që ne do vlerësojmë nevojat. Në rast se do na duhet sigurisht që do të zbatojmë ligjin.”

Për një pjesë të kutive të votimit Partia Socialiste ka kërkuar rivlerësim, por Ristani deklaron se do të marrin vendim për asgjësimin e materialeve zgjedhore nëse do t’iu nevojiten kuti që do të përdoren në zgjedhjet e pjesshme të 15 Nëntorit.

Arben Ristani: “Për mua është proces i mbyllur, se ç’bën politika është problemi i politikës. Në rast se do të ndryshojnë ligjin apo do të vendosin sipas kompetencave të tyre ne do të zbatojmë ato që na ngarkon  ligji për të zbatuar.”

Për shkak se disa kryetar të njësive të qeverisjes vendore kandiduan si deputet në zgjedhjet parlamentare të 28 Qershorit me datën 15 Nëntor në këto zona do të zhvillohen zgjedhjet e pjesshme lokale.

Edhe pse nuk ka ende një vendim zyrtar të dhënat e deritanishme flasin për bojkotim të këtyre zgjedhjeve nga ana e Partisë Socialiste./tvklan.al

Gazetare: Elja Zotka