Opozita reagon pas deklaratës së Ballës
Një deklaratë e kreut të grupit parlamentar të socialistëve, Taulant Balla se Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve ka të gjithë autoritetin për të caktuar datën për mbajtjen e vendoreve të pjesshme në Bashkinë e Shkodrës ka sjellë reagimin në kampin opozitar.
Nënkryetari i demokratëve Edmond Spaho dhe kreu i LZHK-së, Dashamir Shehi e cilësojnë atë në shkelje të Kushtetutës dhe se përmes një qëndrimi të tillë kryeministri po e çon vendin drejt diktaturës.
Opozita bojkotoi zgjedhjet lokale të 30 Qershorit duke i cilësuar ato antikushtetuese. Edhe 13 Tetori i dekretuar si një datë e re zgjedhjesh lokale nga Presidenti nuk solli asnjë ndryshim të situatës në të dy kampet politike. Palët u pozicionuan edhe më në ekstrem në qëndrimet e tyre. Opozita sytë për zgjidhjen e krizës politike tashmë i ka nga ndërkombëtarët.
Gjatë muajve të verës edhe kreu i shtetit apeloi disa herë për t’i ulur palët në tryezën e dialogut për kapërcimin e krizës, por këto përpjekje të Ilir Metës rezultuan pa asnjë rezultat. Opozita thotë se do t’u kthehet protestave për të kërkuar largimin e qeverisë.
Tv Klan