Lajme Arkiva – TV Klan 2003

Rezultati përfundimtar i zgjedhjeve lokale për kryeqytetin ende nuk është shpallur. Pas dorëzimit të kutive nga komisioni zonal, i qeverisjes vendore, pasditen e djeshme, me një rezultat paraprak që njihet vetëm nga opozita, puna i është deleguar KQZ. Sipas kryetarit Celibashi, komisioni ka një volum pune dhe ankesa të shumta për t’u shqyrtuar.

Ilirjan Celibashi:- “Çështja e zgjedhjeve në Tiranë është në proces shqyrtimi të KQZ, Akoma KQZ nuk ka marrë ndonjë vendim në lidhje me këtë çështje, i vetmi vendim ishte ai çfarë është bërë i ditur publikisht para disa ditësh, pra vendosja e afatit brenda të cilit KZQV duhet të merrte vendim. KQZ do ta shqyrtojë këtë çështje në mënyrë kolegjiale dhe do të marri vendimet përkatëse, me qëllim që kjo çështje të zgjidhet ashtu sikurse kërkohet nga ligji”.

Në mesditë, Ngjela është takuar me presidentin dhe i ka paraqitur një raport me parregullsitë në lista dhe dëmin që i është shkaktuar opozitës. Ngjela ka kërkuar vendosjen e drejtësisë me autoritetin e presidentit.

Spartak Ngjela:- “Ne janë hequr nga lista rreth 80 mijë persona, pra nuk është dëm i vogël. Ishte në dijeni të kësaj çështje, i kërkova autoritetin presidencial, për të ruajtur ekuilibrat e shtetit dhe të shoqërisë, të cilat si pasojë e papërgjegjshmërisë që mund të vijnë nga KQZ ose kolegjet, mund të cenohen, kërkova autoritetin e tij ndaj këtyre dy organeve, për dhënien e drejtësisë. I shpjegova për rënien e procesit të drejtësisë në Tiranë, të gjitha llojet e manipulimeve që janë bërë, të cilat janë evidente, të kapura, të cilat është një manipulim masiv, që kuptohet që është bërë me dhunë dhe kërkojmë drejtësi, nuk kërkojmë padrejtësi dhe as privilegj”./tvklan.al

Gazetare – Holta Zhiti