Krerët e shtetit, homazhe në varrezat e Dëshmorëve

Në 65 vjetorin e çlirimit të vendit, krerët më të lartë të shtetit Shqiptar, kanë bërë si çdo vit homazhe në varrezat e Dëshmorëve të Kombit. Presidenti i Republikës, Kryeministri, Kryetarja e Kuvendit dhe disa prej ministrave të kabinetit qeveritar, kanë vendosur kurora me lule në monumentin “Nënë Shqipëri” në kujtim të 28 mijë dëshmorëve të rënë gjatë luftës nazi-fashiste, ndërsa nuk kanë munguar dhe mesazhet për 97-vjetorin e shpalljes së pavarësisë.

Sali Berisha: “Sot ne kremtojmë ditëlindjen e kombit, kremtojmë heroizmin, luftën, përpjekjen e shqiptarëve në luftën e dytë botërore. Më të lirë, më krenarë se kurrë në historinë tonë, flamuri i Skënderbeut, flamuri me të cilin luftuan qindra e mijëra luftëtarë shqiptarë në kryengritjet e mëdha dhe që bënë Shqipërinë të pavarur. Flamuri me të cilin ranë mijë e mijëra djem dhe vajza shqiptare në luftën e dytë botërore, valëvitet krenar në selinë e Aleancës Atlantike të Veriut. Ecën krenar dhe i sigurt drejt flamurit të bashkimit Europian”.

Bamir Topi: “Sot kemi rastin që të rikthejmë në memorien tonë më shumë se kurrë veprën e lavdishme të të gjithë atdhetarëve, patriotëve, të cilët bënë të mundur që të luftojnë pa ndërprerë në asnjë moment aktivitetin e tyre për mbijetesën e shtetit shqiptar, për indetitetin e tij dhe kuptohet mbas kaq vitesh ne kemi një Shqipëri, jo vetëm më një indetitet të qartë, por një vend anëtar të NATO-s dhe së shpejti një vend i BE”.

Kryeministri Berisha ka kujtuar se festa e pavarësisë dhe ajo e çlirimit do të pasohen nga edhe nga një  festë tepër e rëndësishme për shqiptarët, 8 dhjetori, dita e Lëvizjes Studentore  që detyroi krerët e regjimit komunist, të shpallin pluralizmin politik.

Sali Berisha: “8 dhjetori ishe dita tjetër e madhe e lirisë. Dita që shembi murin e Berlinit në Tiranë. Dita që hapi dyert e një marshimi fitimtar të shqiptarëve drejt NATO-s, drejt BE, drejt një të ardhme të shkëlqyer”.

Pas nderimit në Varrezat e Dëshmorëve Kryeministri Berisha ka zhvilluar vizita në familjet e dëshmorëve të atdheut Myslym Shyri e Dinois e Kleathi Manastirliu./tvklan.al

Gazetare: Elja Zotka