Kur pritet draft-propozimi i Ministrisë së Drejtësisë për të nisur puna për reformën në drejtësi, KLD ka gati propozimet e saj për disa nga ligjet më të rëndësishme, që janë pjesë e reformimit të sistemit të drejtësisë në vend. Nënkryetari i këtij këshilli Kreshnik Spahiu, zbulon për herë të parë për Televizionin Klan skemën e hartuar në bashkëpunim me ekspertët ndërkombëtarë, për ndarjen e kompetencave të Ministrisë së Drejtësisë dhe KLD-së për inspektimin e gjykatave dhe masat disiplinore ndaj gjyqtarëve. Një nen ky që u debatua gjatë në komisionin e ligjeve, kur u shqyrtua ligji për organizimin dhe funksionimin e sistemit gjyqësorë.
Kreshnik Spahiu: “Ekspertët e programit të Komisionit Europian kanë ofruar që inspektorati i Ministrisë së Drejtësisë të fokusohet kryesisht në ankesat e publikut, ndërsa inspektorati i KLD të fokusohet në inspektimet tematike të paracaktuara, për tema të caktuara siç janë etika, disiplina, kontrolli i funksionimit të gjyqtarëve si dhe sistemi i vlerësimit të punës së gjyqtarëve”.
Në lidhje me administratën e gjyqësorit, ligji i cili pritet të shqyrtohet nga komisioni parlamentar i ligjeve si pjesë e paketës së reformës në drejtësi KLD ka propozimet e tij.
Kreshnik Spahiu: “Do të jetë një parim universal që janë gjyqtarët dhe sigurisht kryetarë të gjykatave, ata të cilët drejtojnë trupën gjyqësore dhe administrata nuk bën gjë tjetër veçse administron procesin, pa dyshim krijon hapësirën dhe rolin drejtues ta ketë gjithmonë gjyqtarët”.
Ditët e fundit ministri i drejtësisë u përplas me gjyqtarët e gjykatës së parë të Tiranës, pasi ata kundërshtuan urdhrin e Alibeajt për të patur në varësi të tij administratën e gjykatës në mënyrë specifike sekretarët e organit gjyqësorë./tvklan.al
Gazetare: Elja Zotka