Lajme Arkiva – TV Klan 2004

Drejtori i përgjithshëm i KESH-it Andis Harasani është takuar me autoritetet lokale të Qarkut Fier, lidhur me problemet e ndërprerjes së energjisë elektrike që shqetësojnë qytetarët dhe bizneset e këtij qarku.

Prefektja e Qarkut Rajmonda Stefa, pjesëmarrëse në takim, duke u bërë zëdhënëse e qytetarëve, ka ngritur shqetësime duke u nisur nga tensioni i dobët që shkon në institucionet e rëndësishme si spitali, deri tek ndërprerjet e pakontrolluara dhe të painformuara për publikun. Ndërkohë kryetarët e komunave kanë nxituar, madje dhe me tone të ashpra duke kërkuar më shumë drita për banorët e fshatrave, të cilët sipas tyre kanë vetë dy orë drita në darkë.

Drejtori i KESH-it Harasani ka premtuar se të gjitha problemet e ngritura do të trajtohen me kujdes nga korporata, por ka kërkuar shtimin e kuotave të arkëtimeve.

Ndërsa ishte duke u zhvilluar takimi, shumë qytetarë të Patosit dhe Mallakastrës, kanë kërkuar që të bënin takim me Harasanin. Ndalimi që u është bërë këtyre banorëve ka acaruar situatën. Ndërkohë përfaqësues të KESH-it kanë rënë dakord me përfaqësuesit e protestuesve në Himarë, duke u premtuar këtyre të fundit vetëm dy orë e gjysmë ndërprerje të energjisë dh duke u kërkuar arkëtimet në masën 100%, nisur nga muaji Prill.

Sipas KESH-it, nga Janari niveli i arkëtimeve në këtë zonë, është në masën 27%. Kontrata është nëndhkruar nga kryetari i Këshillit të Qarkut, si dhe aktorëve të tjerë lokal në Himarë. Ndërkohë KESH-i ka premtuar dhe plotësimin e kërkesave./tvklan.al