Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim Ilir Meta ka ftuar të gjithë faktorët politik të së majtës në një takim të përbashkët ditën e hënë, duke bërë thirrje për bashkëpunim në mbrojtje të procesit zgjedhor dhe fitores së opozitës me 28 qershor. Thirrja e zotit Meta vjen një javë përpara zgjedhjeve të përgjithshme parlamentare që sipas kreut të LSI-së janë vendimtare dhe historike për nga rëndësia.

Ilir Meta:  “Duke ndjerë këtë përgjegjësi të veçantë dhe historike, do t’i ftoj në një takim ditën e hënë të gjithë faktorët politik, institucional dhe historik, të rinj dhe të vjetër të së majtës, me qëllim vendosjen e një fryme sa më të gjerë bashkëpunimi midis gjithë partive të majta e progresiste, në mënyrë të veçantë në ndikim të mbrojtjes së procesit zgjedhor në 28 qershor nga çdo manipulim dhe presion i mundshëm, në krijimin e një fryme të besimit të fitores në të gjithë elektoratin e majtë dhe progresist.”

Interesit të medias lidhur me aktorët politik të së majtës të cilëve i drejtohet kjo ftesë kryetari i LSI-se iu përgjigj.

Ilir Meta: “Në radhë të parë thirrja ime i drejtohet kryetarit të PS, zotit Rama dhe natyrisht që thirrja ime i drejtohet edhe zotit Nano, ashtu sikurse i drejtohet edhe zotit Mejdani, që është një figurë shumë e rëndësishme. Ndikimi i të cilëve dhe kontributi i të cilëve do të ishte veçse pozitiv për të ecur në një drejtim të përbashkët në krijimin e një qeverie sa më të qëndrueshme për të shëruar të gjitha plagët që po lë pas qeveria e Berishës duke nisur nga agimi i 29 qershorit.”

Për numrin një të LSI-së bashkëpunimi brenda se majtës, është një mundësi për t’i garantuar opozitës një fitore më 28 qershor. Ftesa për bashkëpunim vjen pas disa deklaratave radhazi të Metës së partia e tij do të bashkëpunojë vetëm me selinë rozë për të formuar qeverinë e re të pas 28 qershorit./tvklan.al

Gazetare: Jolldiz Mitro