Kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama u takua në Strasburg me zëvendës presidentin e grupit social-demokrat në Parlamentin Evropian, Hannes Swoboda.
Rama e njohu Swobodën me zhvillimet me të fundit politike në Shqipëri në prag të mbajtjes së tryezës politike të thirrur nga presidenti Topi.
Edi Rama: “Ne jemi gati të kthehemi në Parlament sapo të garantohet vullneti për transparencë të plotë të zgjedhjeve të shkuara për të garantuar zgjedhjet e ardhshme.”
Swoboda vlerësoi me rëndësi garantimin e transparencës së procesit zgjedhor.
Hannes Svoboda: “Mendoj se do të ishte shumë mirë që opozita të kthehej në Kuvend. Ky ka qenë gjithnjë pikë vështrimi ynë, por qeveria duhet të veprojë, të thotë se është dakord të bëjë transparencën e plotë të zgjedhjeve, të thotë se ne njohim si qeveri që opozita e ka pranuar rezultatin e zgjedhjeve. Kjo është e fiksuar dhe gjykata ka thënë kështu, por në të njëjtën kohë qeveria duhet të jetë gati për të qenë e hapur dhe transparente, përfshirë dhe hapjen e kutive të votimit sepse kjo do të tregojë nëse zërat për manipulime kanë patur të drejtë apo jo.”
Nevojën për futjen në Kuvend të opozitës, Swoboda e theksoi dhe gjatë takimit që zhvilloi pak ditë më parë në Strasburg me deputetët që përfaqësojnë “Lëvizjen për mendim ndryshe” në PS.
Ai e konsideroi të rëndësishme këtë moment nisur nga fakti se gjykata ka dhënë verdiktin e tyre final lidhur me zgjedhjet dhe ja si u shpreh zv/presidenti i grupit social demokrat në Parlamentin Evropian, Swoboda pas këtij takimi.
Hannes Swoboda: “Jam i sigurt se e vetmja mënyrë për të punuar politikisht është të punosh në parlament. Të zgjedhurit duhet të punojnë në parlament, mund të bësh një bojkot prej një ditë ose një jave, por bojkoti mund të jetë vetëm një aksion i shkurtër dhe afat gjatë. Kjo nuk është e përputhshme me parimet demokratike, është shumë e rëndësishme pasi ne kemi marrëdhënie të mira me partitë nëse ato punojnë në parlament. Ne nuk mund të kemi marrëdhënie me disa grupe deputetësh pasi ne besojmë në parlamentarizëm. Edhe nëse ka ankesa për manipulim ose shpërdorime të zgjedhjeve janë instancat gjyqësore ato që vendosin për gabimet që janë bërë dhe organizatat ndërkombëtare, por njerëzit që të zgjidhen duhet të bëjnë punën e tyre gjithë kohën, ne duam një opozitë efikase dhe fryt dhënëse në Parlamentin shqiptar, një opozitë që është e fortë, por që ndihmon qytetarët të zgjidhin problemet e vendit, të ndihmojë për liberalizimin e vizave dhe hapjen e negociatave të anëtarësimit.”/tvklan.al