Kreu i Partisë Socialiste Edi Rama zhvilloi një takim elektoral me mbështetës të së majtës në Skrapar. Duke u ndalur në qeverisjen e vendit kryesocialisti tha, se kjo beteje politike dhe elektorale është për Shqipërinë dhe nxjerrjen e saj nga kriza në të cilën është futur.
Edi Rama: “Kjo nuk është beteja ime personale. Kjo është beteja për fëmijët që nuk kanë libra dhe nuk shkojnë dot në shkollë, kjo është beteja për të moshuarit që nuk kanë ilaçe dhe nuk paguajnë dot faturën e energjisë. Kjo është beteja për Shqipërinë e gjunjëzuar nga varfëria, për Shqipërinë e sfilitur nga papunësi, për Shqipërinë e goditur nga dhuna, për Shqipërinë e kërcënuar nga analfabetizmi, për Shqipërinë e kryer nga korrupsioni. Ne do ta fitojmë këtë betejë, sepse Shqipëria nuk mund të humbasë.”
Gjatë fjalës së tij në Poliçan kreu i selisë rozë i bëri thirrje të pranishmëve të bashkojnë votat për të hedhur poshtë qeverisjen aktuale, e cila sipas tij e ka mbajtur peng vendin për 18 vite me radhë.
Edi Rama: “28 qershori është dita që duhet ti bashkojë të gjithë burrat dhe gratë, djemtë dhe vajzat e Skraparit dhe nga Skrapari, për politikën e re për ndryshim për t’i dhënë fund sundimit të Sali Berishës, për t’i dhënë fund të vjetrës në pushtet dhe për t’i dhënë jetë një pushteti të së resë.”
Rama zhvilloi dhe një tjetër takim në Çorovodë, ku u tha banorëve, se nuk vjen në këto zona për të përçuar ndarjen, por bashkimin.
Edi Rama: “Ky popull i lavdishëm meriton shumë më tepër se sa izolimin gjeografik që për 18 vjet me radhë i ka dhënë politika e vjetër. Pa mundur asnjëherë të kuptoj se pa hapur rrugën e re që lidh Skraparin me pjesën tjetër, Skrapari mbetet i dënuar, i izoluar, i tradhtuar. Unë nuk kam ardhur këtu t’ju ndaj, por kam ardhur këtu t’ju bashkoj, t’ju bashkoj në emër të interesave tuaja që janë interesat tona. Në emër të ëndrrave dhe të shpresave tuaja që janë edhe shpresat e mia, në emër të së ardhmes së fëmijëve tuaj që është e ardhmja për të cilën unë dua të bëhem kryeministri i Shqipërisë.”
Sipas kryetarit të Partisë Socialiste, nën qeverisjen e së majtës Skrapari do të përfitojë më shumë nga sa ka përfituar në këto 18 vjet qeverisje të vendit
Edi Rama: “Nuk kam ardhur sot këtu për t’ju bërë premtime siç janë mësuar të bëjnë premtime 18 vjet me radhë politikanët e vjetëve të shkuar, por kam ardhur sot këtu për t’ju thënë se do të bëj për Skraparin në 4 vjet më shumë se ça është bërë në 18 vjet të marra së bashku.” …/tvklan.al