Zgjatim i së vjetrës apo mendësi e re? Kjo është pyetja që shtron mbi të rinjtë programi “Aldo Morning Show” në Tv Klan për temën e ditës. Arta Dade, e cila është angazhuar hershëm në politikë tha se motivi i përfshirjes mund të jetë i njëjtë në periudha të ndryshme, por këto të fundit ndryshojnë.
Bota ka ndryshuar dhe numri i të rinjve është më i lartë se kurrë ndonjëherë në historinë e botës, rreth 1.8 miliardë. Mbi 90% e tyre jetojnë në vendet në zhvillim duke u përballur me sfida të ndryshme. Sipas një sondazhi që Dade përmend, të rinjtë janë të neveritur nga politika.
Njëkohësisht, strategjitë e BE dhe OKB përcaktojnë angazhimin e tyre në vendimmarrje, por problematika mbetet te realizimi i kësaj të fundit. Dade merr si shembull Akademinë Politike të Partisë Socialiste dhe mbresën e mirë që i la, por ngërçi mbetet te modelet që u serviren të rinjve.
Arta Dade: PS bëri Akademinë Politike dhe më ftuan. Me thënë të drejtën shkova me një lloj rezerve sepse duke menduar pikërisht këtë shqetësim që keni ju, a kanë dëshirë të merren, a kanë dëshirë të na dëgjojnë, a duan të na dëgjojnë për përvojën tonë. Unë jam befasuar pozitivisht. Problemi është që ata ishin aq të mirë saqë nuk u kënaqën me atë minutazh që unë kisha në dispozicion. Problemi është si integrohen këta tani. Vjen problemi për t’u angazhuar në politikë, nuk duhet menduar që në politikë je i angazhuar vetëm po u bëre deputet sepse të rinjtë mendojnë tani që duke parë disa modele të deformuara në politikë i ndjekin ato duke iu servilosur liderit, duke i thurur lavde…
Aldo: Le ta themi shqip: për të bërë lekë.
Arta Dade: E kanë edhe këtë, sidomos kur je në pushtet. Kur je në opozitë mendon që do të kap ndonjë vend kur të vij në pushtet. Problemi është çfarë modeli ndjekin të rinjtë dhe këtu shqetësimi është shumë i madh.
Në rajon të rinjtë kanë mungesë perspektive dhe ndiejnë dëshpërim kur janë në opozitë. Nga ana tjetër, Dade shpjegon se në Shqipëri duhet konsideruar kontributi i të rinjve në politikë, përgatitja e tyre e mëparshme dhe kryerja e punëve më të lehta në fillimet e tyre duke bërë një lloj filtrimi.
Arta Dade: Unë kam takuar të rinj që janë kthyer nga studimet nga Anglia, kanë kontribuar në qytetin e tyre, kanë shkuar në zona shumë të vështira ku ka një varfëri ekstreme, kanë punuar, kanë fituar dhe këta të rinj që kanë bërë këtë gjë dhe kanë një rezultat në punën e tyre, mirë është që të angazhohen sepse kanë edhe një pjekuri, janë 30-32, pra kanë një 10-vjeçar të angazhimit dhe kjo mund të konsiderohet si përvojë. E dyta, partitë duhet të vazhdojnë të vendosin ato kuotat siç janë bërë për gratë, të bëhen edhe për të rinjtë. Problemi është cilët të rinj do të angazhohen. Do të angazhohen ata që gjejnë rrugët më të lehta për ta konsideruar poltiikën si mjet për të arritur një mirëqenie apo ata që kanë një bindje që i janë atashuar një force politike, kanë marrë vendime vetë apo i kanë nxitur të tjerët? Ky është një problem shumë i madh por unë dua të besoj që në qoftë se të rinjtë angazhohen në politikë dhe e shikojnë këtë gjë për të ndihmuar komunitetet të cilat përfaqësojnë, për shembull ka pasur raste në parlament që kemi pasur deputetë studentë dhe për mua është bërë një punë e lavdërueshme duke u takuar me qarqet studentore, duke avancuar ligjin për arsimin universitar dhe ka qenë një shembull pozitiv në këtë rast. Por në përgjithësi të rinjtë në këshillat bashkiakë, nuk e di sesa angazhohen, në Tiranë ka pasur vazhdimisht të rinj, kanë një artikulim, kanë një bindje për t’u marrë me politikë por kjo nuk është gjithandej njësoj, për shembull në zonat rurale se nuk është Shqipëria Tirana dhe nuk është vetëm sallonet brenda Unazës, po t’i angazhosh më shumë të rinjtë, po t’i ngarkosh me detyra, besoj që janë të gatshëm t’i kryejnë ato detyra dhe kjo është konstatuar jo vetëm në Shqipëri por kudo. Problemi është që ndonjëherë të rinjtë shihen edhe me xhelozi, do të vijë ky do të më zërë vendin mua dhe mediokriteti u krijon pengesa disa të rinjve që mund të kenë edhe stofin, edhe talentin për t’u marrë me politikë, kanë dëshirën, kanë bindje, problemi është sa këta inkurajohen.
Diskursi mes të rinjve është një tjetër nga pikat e diskutimit që Dade e lidh me modelet që u janë ofruar. Kjo ndërlidhet me trajnimet, ndikimet dhe modelet që i bëjnë të imitojnë të mëparshmit sepse mendojnë që në të kundërt nuk do të përfshihen dot në politikë, çka shënon edhe gabimin e tyre për Arta Daden. Ajo ka edhe një kritikë për platformën “Deputeti që duam”.
Arta Dade: Çfarë modelesh u kemi ofruar ne të rinjve në politikë? Për fat të keq, kemi një parlament, në mënyrë të veçantë ky i fundit që vendos vetëm kryetari i partisë se këdo të përfshijë nëpër lista dhe të rinjtë e dinë këtë gjë. Atëherë si do të përfshihen ata, si do të bëhen deputetë? Për shembull platforma “Deputeti që duam” për mua nuk është normale sepse ti nuk mund të dalësh vetë, të bësh një video dhe ta hedhësh aty edhe unë jam ky. Deputeti që duam duhet të vijë nga njerëz që e njohin, ata që do të përfaqësojë. Sa vlera ka emetuar ky te komuniteti që do të përfaqësojë dhe në fakt të vijë propozimi nga ata njerëz që ky do t’i përfaqësojë. Nuk mund të dalë vetë, pa bërë asnjë gjë dhe të thotë që unë jam deputeti që duam.
Në fund Arta Dade përmbyll duke thënë se kontributi i të rinjve nuk duhet mohuar, por duhet folur më shumë për modelet pozitive dhe t’u krijohen hapësira që ata të përshihen në skenën politike./tvklan.al