Komisioni i ligjeve i hapi rrugën krijimit të një Instituti Kërkimor që do të studiojë krimet dhe pasojat e komunizmit në Shqipëri.
Sipas propozimit të ngritur nga Këshilli i Ministrave ky institut pasi të ketë skanuar dhe analizuar faktet e mbledhura, do të bëjë edhe publikimin e tyre, informacion që do të shërbejë edhe si referencë edhe për tekstet mësimore.
Hasan Metuku: “Instituti do të ndihmojë shoqërinë shqiptare në ruajtjen e kujtesës për një nga të këqijat më të mëdha. Do të krijojë të gjithë bazën arkivore, studimore dhe do të shërbejë, materialet e tij do të shërbejnë si referencë ndaj Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës, që të përgatisë programe mësimore për brezat që të njohin historinë dhe çfarë ka ndodhur gjatë këtyre viteve”.
Instituti i Studimit të krimeve dhe pasojave të komunizmit do të jetë institucion i pavarur me drejtues, persona pa një biografi politike.
Arenca Trashani: “Nëpunësit e institutit të cilët nuk duhet të kenë qenë anëtarë ose kandidatë të Partisë Komuniste Shqiptare, apo Partisë së Punës së Shqipërisë. Nuk duhet të kenë bërë shkollime apo kualifikime në shkollat e larta politike të sigurimit ose mbrojtjes të Shqipërisë apo vendeve të Traktatit të Varshavës”.
29 nëntori i 44 deri në 8 dhjetor të ‘90, janë përcaktuar si data simbolike ku do të fokusohet puna kërkimore e këtij instituti, megjithatë deputetë në Komisionin e Ligjeve kërkuan që si datë fundore të jetë momenti kur sigurimi i shtetit të pushojë së ekzistuari juridikisht. /tvklan.al
Gazetar: Fjorald Zguro