Nga 100 mijë deri në 1 milion euro do të paguheshin për të kryer vrasjen e Durim Bamit. Porositës i këtij krimi sipas SPAK është ish-deputeti Arben Ndoka, i cili kërkonte vrasjen e tij në shenjë hakmarrje pasi e dyshonte si një nga të përfshirët në vrasjen e vëllait të tij Aleksandër Ndoka, ngjarje e ndodhur në 9 dhjetor të 2017 në Lezhë. Për këtë çështje Ndoka ka bashkëpunuar me Ervis Martinajn, Emiljano Shullazin, Marklen Hakën, Arjan Tukun, Avdylajt e Shijakut dhe persona të tjerë të cilët ishin në rolin e vëzhguesit.
Financues ishte Ervis Martinaj dhe Arian Tuku, ndërkohë të tjerët ishin të angazhuar në mbledhjen e informacioneve për lëvizjet e Durim dhe Valter Bamit. Sipas të dhënave, Emiljano Shullazi komunikimet më të shpeshta i kishte me Marklen Hakën, të cilit i tregonte detaje për lëvizjet e Bamit, automjetet që lëviznin, targat e tyre, lokalet dhe zonat ku rrinin. Në një nga komunikimet Shullazi tregon se po të ishte jashtë do e vriste vetë Durim Bamin. Komunikimet i përkasin vitit 2020, kohë në të cilën Shullazi ishte në burg. Sipas dosjes që Klan News lexoi, ish-deputeti po ashtu ka kërkuar që të rekrutojë edhe vrasës me pagesë nga jashtë vendit si nga Maqedonia e Veriut dhe Kosova, të cilët ishin të gatshëm për të kryer krimin, por kërkonin 25 mijë euro paradhënie që ju duheshin për banesat me qira dhe makinat e armët. Për vrasësit nga jashtë vendit Ndoka i tregon dhe Ervis Martinajt i cili është i gatshëm t’i paguajë dhe mund t’i përdorte edhe për të goditur persona të tjerë me të cilët kishte përplasje.
Sipas dosjes së SPAK, vrasjen do ta kryente Aldo Avdylaj me Arben Mërkurin, ky i fundit i vrarë në 2022. Ndër të tjera, lidhur me këtë çështje, Astrit Avdyli i sugjeronte Arben Ndokës marrjen peng të Valter Bamit në mënyrë që të ekzekutonin Bamin. Për të realizuar vrasjen, personat e përfshirë, kishin menduar edhe që të vritej Durim Bami në banesën e tij me snajper, po ashtu edhe në lokalet që ai frekuentonte.
Ndoka në një tjetër episod ka rekrutuar 4 persona për të vrarë edhe Aleks Nikën. Për këtë ngjarje ka hyrë nga Mali i Zi në rrugë të jashtëligjshme Aldo Avdylaj. Pasi në sistemin TIMS rezulton për herë të fundit të ketë hyrë në Shqipëri në 2016. Por as Durim Bami nuk ka qëndruar në heshtje. Ai ka organizuar një plan për të vrarë Arben Ndokën. Për këtë ngjarje ka bashkëpunuar me Endrit Doklen dhe Xhelal Rrajën, vëllai i ish-deputetit të PS Ramazan Rraja dhe disa persona të tjerë. Në vendimin e masave të sigurimit po ashtu evidentohen edhe planet e Ervis Martinat për të vrarë Fatmir dhe Armando Hysenin. Fatmir Hyseni i njohur si “Doçja” akuzohet si vrasës i Santiago Malkos në 27 gusht të 2019 në Tiranë. Malko ishte një nga njerëzit më të afërt të Martinajt.
Klan News