Ka zgjatur vetëm një muaj angazhimi i Zhoao Pereiras në stolin e Sporting Lisbonës. 40-vjeçari u ul në stolin e skuadrës portugeze pas largimit të Ruben Amorim te Mançester Junajtid.

Pereira në të kaluarën ka mbajtur veshur fanellën e ekipit. Pasi vari këpucët në gozhdë, ai mori drejtimin e ekipit U-23, e në nisje të sezonit drejtoi skuadrën rezervë. Por kur mori ekipin e parë, ai nuk ia doli të përmbushë pritshmëritë.

Pasi u emërua më 11 Nëntor, Sportingu i Lisbonës fitoi vetëm tre nga tetë ndeshje nën drejtimin e Pereiras. 40-vjeçari u bë trajneri i parë në historinë e Sportingut që humbi katër nga pesë takimet e tij të para.

Skuadra tregoi shenja përmirësimi, ndërsa nuk u mposht në tri takimet e fundit.

Por Krishtindjet për 40-vjeçarin patën shije të hidhur, pasi klubi portugez njoftoi lajmin për shkarkimin e tij me një deklaratë në orën 23:54 në ditën e Krishtlindjes.

Pas largimit të Amorim, Sporting humbi vendin e parë në kampionat dhe zbriti në vend të 17 në Ligën e Kampioneve.

Klan News