Marcus Rashford deklaroi se vendimi për t’u transferuar tek Aston Villa në formë huazimi deri në fund të sezonit ishte i lehtë për t’u marrë. Sulmuesi 27-vjeçar vendosi që të largohej nga Manchester United, pasi nuk ishte më në planet e trajnerit Ruben Amorim.
Ai është entuziast për aventurën e re.
“Dua të falënderoj Manchester United dhe Aston Vilën për realizimin e kësaj marrëveshjeje huazimi. Isha me fat që disa klube treguan interes për mua, por kalimi te Aston Villa ishte një vendim i lehtë për t’u marrë!. Unë me të vërtetë e admiroj mënyrën se si Aston Villa ka luajtur këtë sezon dhe ambiciet e drejtuesve! Thjesht dua të luaj futboll dhe mezi sa po pres që të filloj! I uroj të gjithëve te United suksese për pjesën e mbetur të sezonit!”, tha Marcus Rashford.
Klubet arritën një akord mes tyre për ta huazuar sulmuesin, me “The Villains” që do të kenë të drejtën e blerjes. Kartoni i tij do të kushtojë rreth 40 milionë Paund.
27-vjeçari ishte kthyer në objektivin e shumë skuadrave europiane, duke përfshirë Barcelonën, Milanin dhe Borussia Dortmundit. Edhe pse klubi blaugrana ishte destinacioni i tij i preferuar, në fund ai vendosi që të pranonte ofertën e klubit nga Premier Liga.
Te katalanasit situata ishte e komplikuar për shkak të mungesës së hapësirës, si edhe pamundësisë financiare.
Aston Vila do të paguajë 70% të rrogës së futbollistit që shkon në 350 mijë Paund në javë. Pritet që Rashford të debutojë me Vilën në sfidën e javës së ardhshme në FA Cup kundër Totenhemit.
Ai nuk kishte luajtur për “Djajtë e kuq” që nga mesi i Dhjetorit pas disa mosmarrëveshjeve me trajnerin Ruben Amorim.
Klan News