Shqiptarët që kanë marrë kredi në valutë do të përballen me këste më të shtrenjta.

Një fakt i tillë i faturohet rritjes së Euriborit, normës së ndërmjetësimit në sistemin bankar që ka mbërritur në nivelin rekord të dhjetë viteve të fundit.

Euribori vijon të rritet i shtyrë nga kriza e kredive që ka paralizuar huatë mes bankave. Shtrenjtimin e kredisë e pohojnë edhe bankat shqiptare.

Drejtori i përgjithshëm i bankës Raiffeisen tha për TV Klan se shtrenjtimi i kredisë është pasojë e krizës globale.

Oliver J.Whittle: “Kreditë do të bëhen më të shtrenjta edhe për Shqipërinë. Në të njëjtën kohë do të ketë më pak kredi pasi janë rritur edhe kriteret e vlerësimit të riskut. Ata që marrin kredi në euro do të preken, por ndërkaq kredidhënia në lek paraqitet më stabël. Kjo situatë është reflektimi i asaj që po ndodh në pjesën tjetër të botës, shtrenjtimit të Euriborit dhe të Liborit.”

Sipas Bankës së Shqipërisë gjatë shtatë muajve të parë të këtij viti kredia në valutë përbën rreth 72% të portofolit të kredisë ose rreth dy pikë përqindje më shumë se mesatarja për vitin 2007.

Një fakt i tillë i dedikohet nevojës së individëve për të financuar blerjen e banesave dhe konsumit./tvklan.al

Gazetar: Fjorald Zguro