Shpresat në rritje për rimëkëmbjen e ekonomisë amerikane, më e madhja në botë kanë patur një efekt domino edhe në çmimin e naftës.

Një ditë më parë në bursën e Nju Jorkut nafta e papërpunuar u tregtua për 77.23 dollarë/fuçi , një rritje prej afro 4% që për ekspertët konsiderohet si më e madhja në katër muajt e fundit.

Që nga Dhjetori i vitit 2008, çmimet e arit të zi janë dyfishuar, megjithatë vazhdojnë të mbeten nën rekordin e 147 dollarëve për fuçi që u regjistrua vitin e shkuar.

Në rritjen e çmimit të naftës ka kontribuar edhe rënia e dollarit. Sipas investitorëve, nëse ky optimizëm për ekonominë vazhdon e nëse dollari do të mbetet në pikiatë, ari i zi do të vazhdojë rritjen.

Karteli i vendeve eksportuese të naftës kërkon një rritje të mëtejshme të çmimit me qëllim të arrijë një ekuilibër me kërkesën.

Sekretari i përgjithshëm i OPEC, Abdulla Salem El-Badri tha për BBC-në, se ndërsa rimëkëmbja ekonomike mbetet e brishtë, kjo organizatë po përjeton një rritje të madhe të kërkesës për naftë nga kina, India dhe Lindja e Mesme./tvklan.al