Ekonomitë në të gjithë botën kanë ndezur dritën e kuqe të alarmit. Rënia drastike e bursave ka bërë që ato të mbahen në fundin e fijes së shpresës për daljen nga kriza.
Dita e sotme ka marrë me të drejtë emrin “e premtja e zezë”, e cila përkon me 24 Tetorin e depresionit të madh të vitit 1929 që rrënoi ekonomitë e asaj kohe.
Për ironi të fatit globi gjendet thuajse në të njëjtat kushte, thua se historia po përsëritet. Duke nisur nga indeksi i Dow Jones, i cili ka humbur 500 pikë, bursat në Evropë, Azi dhe Australi kanë zbritur shkallët e vlerësimit të aksioneve.
Në Londër bursa ka humbur 7%, në Frankfurt 8% dhe në Paris thuajse 6%. Qeveria britanike është e para që ka pranuar se nuk ka asnjë shpjegim tjetër veçse vendi po shkon drejt recensionit.
Më rëndë paraqitet situata në Azi ku indeksi i Koresë së Jugut, ai japonez, Nikkei, mbyllën ditën me rezultate negative prej 9.6 dhe 10.6%.
Kriza financiare ka ndikuar drejtpërdrejt në tregjet ndërkombëtare të naftës. Kjo ka bërë që vendet prodhuese të mbledhura në Vjenë të vendosin për reduktim të prodhimit të arit të zi në masën 1.5 milion fuçi në ditë, ndërkohë çmimi ka rënë brenda pak orësh 4 dollarë duke shkuar në kuotën e 62 dollarëve për fuçi.
Ekonomistët kanë drejtuar sytë në takimin e 43 vendeve të botës në Pekin, ku krerë të lartë shtetesh duhet të dalin me një vendim final se çfarë duhet të bëjnë për të siguruar varkën e shpëtimit./tvklan.al