Në kulmin e krizës diplomatike të Gjirit Persik, ministri i Jashtëm gjerman, Sigmar Gabriel do të jetë në një vizitë zyrtare në rajon. Gjermania rrezikon të humbasë shumë nga konflikti Katarit.
Ministri i Jashtëm gjerman, Sigmar Gabriel para vizitës së tij në Gjirin Persik është shprehur i shqetësuar për konfliktin mes Arabisë Saudite dhe Katarit. Gabrieli ka bërë thirrje që palët të lenë hapësirë për dialog mes tyre. „Ajo që tani është më se e nevojshme është një dialog serioz mes palëve, që të ketë propozime konstruktive e që ato të zhvillohen përmes negociatave”, tha Gabriel, para vizitës së tij në rajonin e gjirit, që fillon me qëndrimin në Emiratet e Bashkuara Arabe, Katar dhe Kuvajt.
„Të gjitha palët duhet të kontribojnë dhe të tregojnë se janë të gatshme që ta marrin në konsideratë edhe pozicionin e palës tjetër”. Por para së gjithash Gabriel do të shprehë qartë interesat e Gjermanisë. Mesazhi i tij kryesor mund të formulohet kështu: Pa marrë parasysh se sa mosmarrëveshje personale dhe temperatura të larta ka në mes të klaneve qeverisëse – kriza aktuale ka përmasa shumë më të mëdha se një grindje rajonale mes dy familjesh.
Angazhimi i Gabrielit
Zgjidhja e krizës është ende larg dhe duke marrë parasysh vizitën e shkurtër të Ministrit të Jashtëm, Gabriel nuk pritet të ketë një zgjidhje të menjëhershme. Megjithatë me vizitën e tij ai demonstron interesim në këtë çështje.
Në prag të fazës së nxehtë të fushatës zgjedhore kjo vizitë mund të shihet edhe si vizitë në kuadrin e fushatës dhe që merr parasysh edhe interesat personale dhe të partisë së tij. Por megjithatë duhet theksuar, se Gabriel ka marrë një rol të rëndësishëm në zgjidhjen e krizës. Jo vetëm Gjermania, por edhe aleatët e saj – veçanërisht ato europianë – mund të humbasin shumë nga konflikti, sepse jo vetëm Katari por edhe pala tjetër janë partnerë të rëndësishëm në rajon. Të gjitha shtetet që janë pjesë e krizës luajnë një rol pak a shumë të errët në luftën civile në Siri, në Libi dhe në luftën kundër IS-it në Siri dhe Irak. Për këtë arsye është shumë e vështirë të favorizohet njëra palë në këtë krizë.
Paradë ushtarake në Katar
Kjo bëhet e qartë edhe në rastin e Katarit: Nga njëra anë, ky vend konsiderohet si partner i IS-it, dhe që e mbështet me financime atë, – një sekret i hapur tanimë. Megjithatë Katari i mohon zyrtarisht këto zëra. Qëndrimi zyrtar i qeverisë gjermane është se nuk ka fakte të sigurta se ka lidhje mes Katarit dhe IS-it. Por vetë anëtarë të qeverisë gjermane kanë dyshime lidhur me këtë. Ministri gjerman për Zhvillimin, Gerd Müller e quajti që në vitin 2014 Katarin si mbështetës të xhihadistëve. Të drejtat e njeriut në Katar konsiderohet si shumë të rrezikuara, po ashtu ka edhe sinjale se Katari ka blerë organizimin e Kampionatit Botëror të Futbollit 2022.
Lidhje ekonomike të forta
Nga ana tjetër nga Ministria e Jashtme gjermane, Katari emërtohet si një “partner i rëndësishëm”. Gjatë krizës së fundit financiare, familja pushtetare e Katarit ofroi ndihmë si investitor. Sot kjo familje ka aksione në disa kompani të mëdha gjermane, duke përfshirë Volkswagenin, Siemens, dhe Bankën Gjermane (DB). Emiratet e Bashkuara Arabe janë furnizues të gazit natyrorë dhe kanë pasur gjithmonë një bashkëpunim të mirë me kompanitë gjermane. Të mos harrojmë këtu edhe eksportin e armëve të rënda, si për shembull 62 “Leopard II”, tanket që Arabia Saudite i ka marrë nga Gjermania.
Gabriel e ka shumë të qartë rëndësinë e marrëdhënievr ekonomike midis Gjermanisë dhe Gadishullit Arab. Në vitin 2015 ai bëri atje një vizitë si ministër i Ekonomisë me një delegacion të madh biznesi. Që tani ai udhëton sërish atje, kjo sigurisht e nënvizon qartë edhe njëherë rolin e tij si diplomat. Por megjithatë nuk do ta ketë të lehtë.