Izraeli dhe Hamasi pranuan një marrëveshje që mund të ndalojë luftën në Gaza dhe të shikojë lirimin e pengjeve izraelite e të burgosurve palestinezë, sipas negociatorëve të SHBA-së dhe Katarit.
Ky është zhvillimi më i rëndësishëm në 15 muajt e luftës, e cila shpërtheu kur Hamasi, grupi i armatosur palestinez, sulmoi Izraelin në Tetor të vitit 2023
Çfarë mund të jetë në marrëveshjen e armëpushimit me Izraelit dhe Hamasit?
Deri më tani nuk janë bërë publike shumë detaje të marrëveshjes, të pranuara nga Hamasi dhe Izraeli. Kryeministrin Benjamin Netanyahu tha se kishte me dhjetëra paragrafë të pazgjidhura në marrëveshje, të cilat priste t’i finalizonte gjatë mbrëmjes së djeshme.
Një marrëveshje e plotë do të sillte fundin e luftës në Gaza dhe një shkëmbim të pengjeve me të burgosurit. Hamasi mori 251 pengje kur sulmoi Izraelin më 2023-shin.
Mban ende 94 të tillë, por Izraeli beson se vetëm 60 janë gjallë. Ndërkohë Izraeli pritet të lirojë rreth 1 mijë të burgosur palestinezë, disa të dënuar me vite.
Si mund të funksionojë armëpushimi?
Siç edhe u njoftua kur u mor vesh për marrëveshjen, armëpushimi pritet të shtrihet në tre faza. Teksa të dyja palët kanë rënë dakord, pritet që të implementohet tamam pasi kabineti i sigurisë dhe qeveria e Izraelit ta miratojë atë.
Kryeministri i Katarit, Sheik Mohammed bin Abdul Rahman Al Thani tha se marrëveshja mund të hyjë në fuqi që të dielën nëse miratohet.
Ja si është ndarë marrëveshja:
Faza e parë: Kjo fazë pritet të zgjasë gjashtë javë ku do të ketë një armëpushim të plotë. Këtë e konfirmoi presidenti amerikan Joe Biden në një deklaratë pas arritjes së marrëveshjes. Një numër pengjesh të mbajtur nga Hamasi, ku përfshihen gratë, të moshuarit dhe të sëmurët, do të shkëmbehen me qindra të burgosur palestinezë. Biden nuk specifikoi se sa pengje do të lirohen në fazën e parë, por Al-Thani tha se mund të bëhet fjalë për 33 persona. Zëdhënësi i qeverisë izraelite David Mencer tha se shumica e tyre mund të jenë gjallë, por mund të ketë edhe nga ata që do të sillen të vdekur. Tre pengje do të lirohen menjëherë, ndërsa pjesa tjetër përgjatë gjashtë javëve. Gjatë kësaj faze, trupat izraelite do të tërhiqen nga zonat e populluara të Gazës dhe atje do të kthehen palestinezët. Më pas do të ketë dërgesa të ndihmës humanitare me qindra kamionë që do të lejohen të shkojnë çdo ditë. Një zyrtar palestinez tha se negociatat e detajuara për fazën e dytë e të tretë do të nisin në ditën e 16 të armëpushimit.
Faza e dytë: Kjo do t’i sjellë fund luftës, sipas Biden. Pjesa tjetër e pengjeve, përfshirë burrat do të lirohen në këmbim të të burgosurve palestinezë. Izraeli ka rënë dakord të lirojë 1 mijë të burgosur palestinezë. 190 prej tyre po vuajnë dënime me mbi 15 vjet burg. Një zyrtar izraelit tha se ata të dënuar për vrasje nuk do të lirohen. Kjo do të shikojë një tërheqje të plotë të trupave izraelite nga Gaza.
Faza e tretë: Kjo fazë do të përfshijë rikonstruktimin e Gazës, diçka që mund të marrë vite dhe rikthimin e trupit të pajetë të çdo pengu që mund të ketë mbetur.
Pikëpyetjet për marrëveshjen?
Për të arritur deri në këtë pikë u deshën muaj, madje edhe me negociata jo të drejtpërdrejta për shkak se Izraeli dhe Hamasi nuk e besojnë njëri-tjetrin. Hamasi donte një përfundim të plotë të luftës para se të lironte pengjet, diçka që ishte e papranueshme për Izraelin.
Armëpushimi në fakt do ta “pezullojë” luftën derisa të arrihen kushtet për ta ndaluar plotësisht atë. Megjithatë është e paqartë nëse kjo nënkupton se lufta ka mbaruar një herë e mirë.
Një nga qëllimet kyçe të Izraelit ishte të shkatërronte aftësitë ushtarake dhe qeverisëse të Hamasit. Izraeli e ka dëmtuar rëndë atë, por Hamasi prapë se prapë ka kapacitetin të operojë dhe të rigrupohet. Po ashtu është e paqartë cilët pengje janë gjallë ose të vdekur, apo nëse Hamasi i di vendndodhjet e të gjithë atyre që mbeten të pagjetur.
Nga ana e tij, Hamasi ka kërkuar lirimin e disa të burgosurve që Izraeli thotë se nuk do e bëjë. Mendohet se bëhet fjalë për individë të përfshirë në sulmet e 7 Tetorit. Është e paqartë nëse Izraeli do të pranojë të largohet nga zona e çmilitarizuar në një datë të caktuar.
Çdo armëpushim duket i brishtë në Gaza. Ato të mëparshme i kanë ndaluar luftërat mes Izraelit dhe Izraelit, por janë tronditur nga përleshjet e ndryshme dhe përfundimisht janë prishur. Kompleksiteti i këtij armëpushimi, sipas BBC, do të thotë që edhe një incident i vogël mund të kthehet në një kërcënim të madh.
Çfarë ndodhi më 7 Tetor 2023?
Me qindra anëtarë të Hamasit sulmuan jugun e Izraelit pasi kaluan një kufirin. Ata shënjestruan komunitete, stacionet e policisë dhe baza ushtarake. Rreth 1200 persona u vranë dhe më shumë se 250 pengje u morën në Gaza. Hamasi lëshoi me mijëra raketa në Izrael.
Ndërsa Izraeli u kundërpërgjigj me një fushatë masive ushtarake, fillimisht nga ajri e më pas me anë të një pushtimi tokësor. Që prej asaj kohe, Izraeli sulmoi zona në Gaza nga toka, ajri dhe deti, ndërsa Hamasi e ka goditur Izraelin me raketa.
Sulmi izraelit e ka shkatërruar Gazën dhe ka sjellë pengesa në ushqime dhe ndihma për ata në nevojë. Më shumë se 46 mijë persona, shumica civilë, janë vrarë nga sulmet e Izraelit./tvklan.al