Kryebashkiaku i Elbasanit, Gledian Llatja është shprehur se në qytetin e Elbasanit ka pasur 90% më shumë rritje turistike për 2024-shin. Në një prononcim për emisionin “Opinion” në Tv Klan, Llatja ka folur për projektet që kanë në plan për të rritur turizmin në Elbasan.

Blendi Fevziu: Duket sikur Elbasani nuk është në atë hartën më të famshme turistike të Shqipërisë, si ka qenë ky vit për turizmin?

Gledian Llatja: Në qytet ka qenë 90% më shumë deri më tani. Ne tani e fillojmë sezonin që rrisim numrat se tani fillojnë dhe llixhat. Në Shtator fillojnë ujërat termalë dhe tani ne bëhemi gati për sezonin turistik. Turistët në Elbasan kryesisht vijnë nga Ballkani. E kanë përdorur Elbasanin thuajse gjatë gjithë verës, por edhe në pranverë si destinacion 1-ditor.

Blendi Fevziu: Kush është qendra më e vizituar në Elbasan?

Gledian Llatja: Qendra më e vizituar është qendra e qytetit, kalaja, muzetë, pikat kryesore turistike dhe kanë marrë një zhvillim dhe zonat rurale.

Blendi Fevziu: Kjo është një zonë e jashtëzakonshme, ka bukuri fantastike. Nuk kam parë të ketë avangard në raport me bujtinat.

Gledian LLatja: Kemi në Gjinar investime, Funarin duam ta kthejmë në destinacion kryesor në Shqipërinë e Mesme për sportet e natyrës.

Blendi Fevziu: Po rruga a do të rregullohet?

Gledian Llatja: Kemi një projekt tjetër për të kaluar nga autostrada e re, nga dalja e Dopajt që është direkt pas tunelit kur vjen nga Tirana dhe do jetë 7 kilometra pranë nesh që është fshati i parë i Funarit dhe kjo rrugë do të mbetet, rruga aktuale. Kemi plan të ndërtojmë një rrugë të re.


/tvklan.al