Lajme Arkiva – TV Klan 2004
Kryebashkiaku Rama është shprehur sërish tepër i vendosur për shembjen e çdo ndërtimi që prish planet urbanistike të kryeqytetit. Rama i ka quajtur absurde deklaratat e banorëve të Unazës së Re, se prishja e ndërtimeve të tyre pa leje po bëhet që në vend të tyre të ngrihen ndërtime shumëkatëshe.
Edi Rama: “Shqipëria është bërë si një shtet që zhvillohet në formë gjarpri, anës rrugës ndërtojnë të gjithë dhe nuk mbaron një qytet, ku fillon një pyll, ku vazhdon një tokë bujqësore, ku vjen një qytet tjetër, këtu është baj e ndërto. Atyre që thonë, se bashkia e Tiranës po prish tek Unaza e Re për të ndërtuar pallate, unë ju them, t’ju vijë turp.”
Këtë deklaratë e ka bërë në një konferencë për shtyp në një shtëpi pa leje në një lagje të Kombinatit, pikërisht në rrugën “3 Dëshmorët”. Kjo zonë nga ana territoriale përfshihet në komunën e Kasharit, pasi është jashtë vijës së verdhë të qytetit, ndërkohë që nga ana administrative është pjesë e njësisë bashkiake numër 6 të bashkisë së Tiranës.
Pikërisht kjo kontradiktë ka bërë, që kryetari Rama të kundërshtojë vendimin e kryetarit të komunës së Kasharit, për prishjen e disa ndërtimeve në këtë zonë, që në vend të tyre të ngrihet një pallat shumëkatësh.
Edi Rama: “Kam takuar personalisht kryetarin e komunës së Kasharit, i cili më ka lënë një përshtypje jashtëzakonisht negative, i kam kërkuar personalisht në zyrë që të heq dorë nga ky plan idiot urbanistik, nuk i takon komunës së Kasharit dhe asnjë komune në Shqipëri të ndërtojë asnjë lloj pallati, se në asnjë lloj vendi të botës nuk ndërtohen pallate nëpër fshatra.”
Rama ka kundërshtuar këtë vendim absurd siç e ka quajtur ai dhe është shprehur se shumë shpejt kjo zonë banimi do të përfshihet nga ana territoriale brenda vijës së verdhë të qytetit të Tiranës./tvklan.al
Gazetare: Elja Zotka