Në Laç kryeministri Sali Berisha do të risillte edhe njëherë në vëmendje arritjet e qeverisë në 4 vite, duke theksuar anëtarësimin në NATO, aplikimin për statusin e vendit kandidat në BE, rritjen e pagave dhe pensioneve. Me një program të ri me objektiva ambicioz për 4 vitet që vijnë, kryeministri tha i bindur, se qeveria që drejton do të marrë sërish besimin  me 28 qershor. Një besim që Berisha e lidhi edhe me fitoren e partive të qendrës së djathtë në garën për PE.  

Sali Berisha: “Kam zgjedhur Laçin të përshëndes mbarë Europën, e cila u gdhi dje blu dhe t’u japim ne një përshëndetje vëllazërore partive simotra për fitoren e jashtëzakonshme.”

Kryeministri ftoi banorët e Laçit të votojnë programin e demokratëve për Shqipërinë Evropiane. Ai tha, se çdo votë për partinë Socialiste është kthim prapa. Edhe në Laç kryeministri Berisha sulmoi kundërshtarin e tij politik.

Sali Berisha: “Vota majtas është votë mbrapa dhe, siç e dini, ju mbrapa do të thotë Edi Rama. Kur ka ndodhur në historinë e demokracisë që një kryetar partie t’u thotë të tjerëve para ju, se mbrapa më keni. Prandaj ju bëj thirrje asnjë votë të vetme majtas, sepse vota majtas është votë për të shkuarën, është votë për atë që nuk ka besim tek njerëzit e tij, nuk ka besim tek shqiptarët që refuzon të kandidojë.”  

Banorët e Laçit dhe zonave përreth kryeministri i garantoi për më shumë investime, të cilat gjatë katër viteve rezultojnë të jenë 20 herë më të mëdha sesa gjatë qeverisjes së socialiste. Kryeministri tha se do të synohen standarde europiane në shërbime të qytetarëve.

Sali Berisha: “Kam ardhur tek ju për t’iu dhënë fjalën ju se në këtë rreth, në këtë qytet do asfaltohet çdo pëllëmbë, çdo metër rrugë. Se ju do keni hyrjet dhe daljet më moderne të qytetit. Unë u jap fjalën banorëve të Kurbinit se infrastruktura më moderne do të ngrihet në të tërë bregun tuaj, se resortet më të mira turistike do të ndërtohen gjatë katër viteve që vijnë. Një thirrje vëllazërore kam unë për ju, merrni letërnjoftimet e reja, le ti shtrojmë këto në festën tonë  për të nderuar në Laç, për të ndërtuar në Shqipëri Laçin Europian, Shqipërinë Europiane.”

Në Mirditë kryeministri Sali Berisha përmendi një nga arritjet më të mëdha të qeverisë në infrastrukturën rrugore, korridorin kombëtar Durrës-Morinë.  Investimi i shekullit vetëm në aksin Skurraj-Fan ka punësuar mbi 2 mijë vete.  Bashkë me rrugën një investim i nevojshëm për banorët e kësaj zone,  të tjera para nga buxheti i shtetit janë hedhur për shkolla,  qendra shëndetësore  si dhe zhvillim të bujqësisë. Investime këto siç tha kryeministri disa herë më të larta sesa gjatë qeverisjes socialiste.

Sali Berisha: “Por sot zotohem para mirditorëve se do shkurtojmë 5 vite pensionin e minatorëve dhe me efekt para veprues. Jam sot për tu zotuar ju këtu, se tëgjitha komunat e rrethit tuaj, të gjitha fshatrat e këtij rrethi do të lidhen me rrugë të asfaltuara me autostradën e madhe…”/tvklan.al

Gazetare: Menada Zaimi