Në zgjedhjet parlamentare të 2009-tës zgjedhësit do të votojnë me dokumentet e reja të identitetit.

Duke filluar nga dita e sotme në Tiranë për t’u shtrirë më pas në të gjithë vendin ka nisur procesi i regjistrimit të popullatës për t’u pajisur me kartat e identitetit dhe pasaportat biometrike, ndërkohë që në fillim të vitit të ardhshëm fillon dhe shpërndarja e tyre.

Kryeministri në mbledhjen e qeverisë ka prezantuar dokumentet e para të identitetit.

Sali Berisha: “Janë garancitë e plota që qytetarët shqiptarë do të votojnë me letërnjoftimet e reja elektronike. Do jetë pra një proces zgjedhor me lista votuesish elektronike, me letërnjoftim elektronik, një proces zgjedhor i paparë”.

E duke folur për procesin zgjedhor Berisha ka shfrytëzuar rastin për t’i bërë ftesë kryesocialistit Rama që duke marrë shkas nga dekreti i presidentit që riktheu kodin zgjedhor për rishqyrtim të reflektojë për të arritur një kompromis me Lëvizjen Socialiste për Integrim, forcë politike, pesha e së cilës sipas Berishës nuk mund të shpërfillet.

Sali Berisha: “Ftoj zotin Rama të dëshmojë sens kompromisin me forcën politike, e cila ka 8 deri në 10% të elektoratit. Nuk e bëj për asnjë lloj intensioni tjetër, përveçse për faktin se realitetet nuk duhen mohuar. Nuk e mohoj dhe nuk e injoroj konsensusin që kemi me Partinë Socialiste, por në qoftë se e zgjerojmë, e bëjmë edhe pak më të gjerë në një farë arsyetimi unë them se mirë do të bëhej për veten.”

LSI ka kërkuar një ditë më parë në komisionin e ringritur të reformës zgjedhore të merret parasysh kërkesa për t’u përfaqësuar me anëtarët e saj në komisionet e administrimit të zgjedhjeve dhe mazhoranca është dukur e gatshme për të bërë ndërhyrje të tjera në ligjin elektoral përveç ndryshimeve që kërkon dekreti presidencial, por socialistët janë dukur hermetikë në qëndrimin e tyre për të prekur vetëm nenet që kanë të bëjnë me afatet e përgatitjes së procesit zgjedhor./tvklan.al

Gazetare: Elja Zotka