Kryeministri Sali Berisha ka përuruar përfundimin e punimeve dhe në disa raste fillimin e tyre për vepra të rëndësishme publike në rrethin e Shkodrës.

I shoqëruar nga kryeparlamentarja Topalli dhe Ministri i Punëve Publike, Transporteve dhe Telekomunikacioneve dhe deputetë të Shkodrës kreu i ekzekutivit në deklarimet e tij gjatë kësaj vizite ka nënvizuar se do të vazhdojë të mbështesë investimet në infrastrukturë në zonat rurale pasi përmes tyre realizohet zhvillimi i vendit.

Ndalesa e parë e shefit të mazhorancës ishte në Bushat ku ai përuroi fillimin e punimeve për ndërtimin e landfillit për përpunimin e mbetjeve urbane, projekt ky ku do të investohen 600 milion lekë dhe do të përpunohen rreth 47 mijë ton plehra në vit.

Sali Berisha: “Vetëm këtë vit projektet në infrastrukturën e komunave tona janë minimumi 200 milion dollarë. Janë më shumë aq sa s’kanë qenë kurrë më parë. Mandati i dytë për të cilin ju do vendosni me votën e lirë tuaj do të përcaktojë të gjithë zhvillimin e ardhshëm 4-vjeçar. Unë ju siguroj se në çdo rast besimin ndaj kësaj qeverie dhe Sali Berishës do të shpërblehet me fjalë të mbajtur.”

Më pas kryeministri ka prerë shiritin e përurimit të rrugës hyrëse prej 7 kilometrash në fshatin Melgush ku janë investuar rreth 51 milion lekë.

Sali Berisha: “Shqipëri të zhvilluar pa zhvillim rural nuk ka dhe nuk mund të ketë dhe në tërësi ka një kthesë rrënjësore nga çakulli tek asfalti.”

Ndalesa tjetër e kryeministrit ishte përurimi i asfaltimit të rrugës Dajç-Pentar, me vlerë 30 milion lekë dhe gjatësi 7 kilometra.

Vizita e kryeministrit ka vijuar në përurimin e stacionit të pompave në Trush që shënoi dhe mbylljen e fazës së parë të punimeve të ujësjellësit që do të furnizojë me ujë zonën e Velipojës. Investimi për këtë projekt arrin rreth 400 milion lekë.

Sali Berisha: “Në rast se Shqipëria ishte një vend i prapambetur dhe akoma nuk mund të them se është një vend i zhvilluar kjo ka ardhur vetëm e vetëm sepse nuk janë bërë investime. Kjo ka ardhur sepse buxheti i saj ose është shpërdoruar apo ka përfunduar nëpër xhepa në të shkuarën është shtruar në bunkerë, por një gjë dua t’ju them. Sot është koha e investimeve. Dje unë po shihja një listë prej 30 e ca vendesh. Shqipëria ishte i vetmi vend që ka 32% të buxhetit investime publike”.

Kryeministri gjithashtu inspektoi dhe punimet që po kryhen për ndërtimin e urave në rrugën kombëtare në Baks ku po investohen rreth 146 milion lekë.

Më pas kryeministri përuroi përfundimin e punimeve në dy rrugë në komunën e Velipojës, rruga e Luarzit dhe aksi rrugor që lidh rrugën e plazhit me fshatin Breg-Lum, me vlerë 55 milion lekë, projekt që ka përfunduar tetë muaj para afatit./tvklan.al