Nisur nga rritja e ndjeshme e nivelit të prurjeve në lumin Drin si pasojë e reshjeve të ditëve të fundit, qeveria vendosi të ringrejë, komitetit ndërministror të emergjencave civile.
Kryeministri Sali Berisha kërkoi përgatitje të plotë të strukturave qeveritare për të përballuar me sukses situatën sikundër operacionin e fillim janarit në zonën e Nënshkodrës.
Sali Berisha: “Ministri Basha është në Shkodër, prurjet e mbrëmshme të cilat ishin më të mëdhatë e këtij viti, arritën në 3000m3/sekondë. Kanë rënë nuk janë më në këto nivele, janë tek 1400 a 1500 ndaj dhe komiteti i emergjencës duhet të fillojë funksionimin menjëherë. Ushtria, shefi i shtabit me komandat të tjerë është në zonë dhe po shqyrtojnë situatën. E rëndësishme është që të marrim të gjitha masat mbi bazën e asaj praktike të suksesshme që u krijua në operacionin e parë. Ta kapërcejmë këtë situatë emergjence me dëmet më minimale të mundshme.”
Gjatë mbledhjes së qeverisë, kryeministri i kushtoi vëmendje të posaçme arsimit të lartë.
Krahas progresit të shënuar në këtë drejtim kryeministri identifikoi si problem rritjen e ndjeshme të numrit të studentëve në raport me pedagogët.
Në 2005 në universitete llogariteshin 53 mijë studentë sot shifra ka arritur në 135 mijë. Ndaj dhe kryeministri kërkoi ndryshim të shpejtë të këtij raporti.
Sali Berisha: “Ai raport ka qenë deficitar edhe 4 vjet më parë, imagjinoni ju si është bërë ai tani. Ky përbën një kërcënim serioz për cilësinë. Të bëhen të gjitha ndryshimet në aktet ligjore e nënligjore në mënyrë që universitetet tona të përcaktojnë si kriter vendet e OCD-s dhe të përzgjedhin mesataren e tyre.”
Qeveria do të angazhohet dhe në klasifikimin e universiteteve publike dhe private. Mos përmbushja e kritereve u rrezikon atyre deri daljen nga tregu.
Sali Berisha: “Zoti ministër është jashtëzakonisht e rëndësishme që qytetarët shqiptar të kenë rejtigun e universiteteve të vendit private dhe publike. Në mënyrë që ta dinë se ku studion fëmija i tyre. Në mënyrë që të marrin njëherë e mirë fund debatet, se ky universitet ka burokratikisht këto hapësira dhe ky universitet tjetër burokratikisht ka këto hapësira, ka këtë rejting, do ketë këto, këto të drejta. Ka këtë rejting do ketë një nivel tjetër të drejtash. Ka të tretin, do ketë dy vite afat për tu përmirësuar ose për të dalë nga tregu.”
Kryeministri foli gjithashtu për nevojën e thellimit të reformës në kërkimin shkencor.
Pavarësisht financimit nga buxheti, kërkimi shkencor tha kryeministri Berisha do të jetë atribut i fakulteteve dhe dekanateve.
Madje kryeministri tha se qeveria është e hapur të ndryshojë dhe ligjin në kuadër të garantimit të autonomisë së universiteteve.
Qeveria mori vendim për realizimin e një projekti të rëndësishëm për rrugën dytësore dhe lokale me një vlerë nga 300 në 400 milion dollar.
Projekti do të bashkë financohet nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, Banka Evropiane e Investimeve si dhe fondet e instrumentit të para aderimit 2010-2011, gjithashtu një grand prej 40 milion eurosh do të sigurohet nga fondi i investimeve të Ballkanit Perëndimor.
Qeveria miratoi dhe vendimin për kalimin në pronësi pa shpërblim të një prone të misionit të bamirësisë “Motrat e Nënë Terezës” ndërtuar me një truall në pronësi të shtetit./tvklan.al
Gazetare: Menada Zaimi