Në vijim të turit të takimeve me diasporën, Ministri i Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin dhe Drejtuesi Politik i Partisë Socialiste për Diasporën, Taulant Balla u takua me aktivistë dhe përfaqësues të komunitetit shqiptar që jeton dhe punon në Romë, Itali. Gjatë fjalës së tij, Balla foli për votën e diasporës, e cila do të nisë zbatimin në zgjedhjet e vitit të ardhshëm.
“Për 33 vite ju kontribuat për ekonominë e Shqipërisë. Ata prej jush që donin të shpreheshin me votë për drejtimin që donin të merrte Shqipëria, do të merrnin avionin apo tragetin për të ardhur në Shqipëri të premten ose të shtunën – për të votuar të dielën, e për t’u kthyer të hënën. Asnjë mënyrë tjetër nuk kishin. Kësaj pritje Kuvendi i Shqipërisë i dha fund më 26 Korrik. Secili prej jush tani ka mundësinë të votojë nga vendi ku jeton, përmes një procesi të thjeshtuar online.”
Teksa bëri thirrje për pjesëmarrje masive në votimet e vitit që vjen, Balla nënvizoi përparimin e vendit në arenën ndërkombëtare, duke përmendur hapjen zyrtare të kapitujve të parë të negociatave për anëtarësimin në Bashkimin Europian si një arritje të rëndësishme.
“Shqipëria është një vend që garanton stabilitet në të gjithë rajonin e Ballkanit Perëndimor, dhe mendoj që jemi në ditën për t’u gëzuar edhe për faktin që Shqipëria hap zyrtarisht kapitujt e parë të marrëveshjes për t’u anëtarësuar në Bashkimin Europian, dhe synim të cilin ne synojmë me Edi Ramën, kryeministër, ta përmbyllim deri në vitin 2030.”
Ministri Balla theksoi suksesin e jashtëzakonshëm të Shqipërisë në turizëm, e cila ka kapërcyer imazhin negativ që dikur shfaqej në mediat ndërkombëtare, veçanërisht ato italiane, duke u kthyer në një destinacion të preferuar për pushime.
Tv Klan