Kjo deklaratë është bërë nga eksperti i çështjeve të sigurisë Avenir Peka në emisionin Opinion në Tv Klan, ku diskutohej për luftën Izrael-Hezbollah.

Disa ditë më parë, mbarë opinioni botëror u shokua nga shpërthimi në të njëjtën kohë i biperave në Liban dhe Siri që përdoreshin nga anëtarët e Hezbollahut.

Përflitet se brenda biperave ishte montuar më parë eksploziv nga shërbimit sekret izraelit, MOSSAD, por kjo agjenci as nuk ka mohuar e as nuk ka pohuar këto zëra.

Avenir Peka thotë se Izraeli ka një njësi teknologjike të quajtur 8200 që përbëhet nga të rinj të moshave 18-21 vjeç. Sipas tij, brenda kësaj njësie ekziston një njësi më e vogël e përbërë nga të rinj autikë. Pikërisht kjo njësi, thotë Avenir Peka, ka qenë e përfshirë në sulmin e koordinuar për shpërthimin e biperave në distancë.

“Izraeli është shteti më i avancuar në teknollogji, që nga themeli në ’47 është një shtet që ka qenë në kushtet e mbijetesës i rrethuar nga vende armiqësore. Disavantazhin numerik e ka kthyer në avantazh duke përdorur teknologji. Njësia 8200 është jashtëzakonisht e specializuar brenda shërbimit sekret ushtarak që përbëhet nga djem e vajza të reja 18-21 vjeç. Kur dalin në jetën private merren me start up. Brenda kësaj njësie ka mininjësi që përbëhet nga djem e vajza autikë. Njësia që është marrë me këtë operacion janë të rinj e të reja autikë. Personat me autizëm në momentin që shfaqin një talent janë të jashtëzakonshëm në atë fushë. Ajo çfarë e bën shumë të veçantë është sepse ka një kombinim midis degëve të tjera të shëbrimit sekret që është MOSSAD dhe pastaj veprimi teknologjik që ka ndodhur”, u shpreh Avenir Peka.

/tvklan.al