Kryeministri Sali Berisha paralajmëroi kalimin shumë shpejt për miratim në kuvend të atij që njihet si ligji Antimafia.

Në mbledhjen e grupit kuvendor demokrat Berisha e paraqiti atë si ligj të standardeve më të mira evropiane dhe se dëshmon vullnetin e mazhorancës për të luftuar pa asnjë kompromis krimin e organizuar.

Sali Berisha: “Ky ligj jep mundësi çmontimit të pasurisë së krimit të vendosur nga mafia, bllokimit të saj, çka do të thotë “de facto” bllokim i mundësisë së funksionimit të degëve të klanit të pagoditura për vepra penale nga ligji. Unë e kuptoj diskutimin që ngjall, por standardi është marrë nga vendet me traditë me më të konsoliduara demokratike”.

Për shkak të bashkëpunimit të ngushtë me Italinë në përpjekjet kundër krimit ligji është përshtatur me praktikat që funksionojnë në këtë drejtim në shtetin fqinj.

Kryeministri Berisha risolli dhe një herë në vëmendje vizitën pak ditë më parë të Ministrit të Brendshëm italian, Maroni, dhe vlerësimin që ai shprehu mbi eficencën e organeve shqiptare të zbatimit të ligjit.

Sali Berisha: “Jemi shumë të detyruar të përshtasim ligjet tona me Italinë në këtë aspekt. Pikërisht këtë ngriti ministri Maroni. Problemi është tha që të mos mund t’u lejohet asnjë hapësirë për transferimin e pasurive. Është me interesin më të madh që të dihet se bosët e mafies nuk mund të transferojnë nga Shqipëria në Itali dhe e kundërta”.

Krahas garancive që ofron ligji për sigurinë e jetës së qytetarëve dhe stabilitetin e vendit kryeministri e nënvizoi atë edhe për një fakt, ndikimi qe ka miratimi i tij në procesin e liberalizimit të vizave.

Sali Berisha: “Në agjendën e parlamentit sa më të afërt ne duhet të votojmë këtë ligj për të gjitha këto motive, për motivin e lëvizjes së lirë të qytetarëve shqiptarë në Evropë, proces i cili po ec me sigurinë më të madhe. Dua të me këtë rast të siguroj qytetarët shqiptarë se të gjitha përpjekjet për ta bllokuar këtë proces përfunduan në Lanë”.

Në mbledhjen e grupit kuvendor demokrat kryeministri paralajmëroi se 8 Dhjetori që përkujton lëvizjen studentore në Shqipëri do të jetë një festë e madhe si data që shënoi rënien e murit të Berlinit në vendin tonë.

Sali Berisha: “8 Dhjetori do të jetë festa e shembjes së murit të Berlinit në Tiranë. Do të jetë një festë e madhe, një festë në të cilën do të marrë pjesë e gjithë Shqipëria. Do të jetë një festë për Evropën, për aspiratën tonë evropiane, një festë e cila synon jo vetëm dënimin për atë që është bërë dhe për atë që është arritur, por më shumë grisim ftesën për horizontin e ri që duam të kapim gjer më 28 Qershor të vitit 2013, në të cilin shqiptarët do votojnë mesa duket edhe një herë për këtë mazhorancë”.

Kryeministri foli gjithashtu dhe për një agjendë të ngjeshur pune për shkak të miratimit të një seri projektligjesh të rëndësishme, një pjesë e konsiderueshme e të cilave premtime elektorale.

Sali Berisha: “Ligji i premtuar nga ne për dhënien në pronësi të një sipërfaqe të caktuar toke punonjësve të fermave bujqësore ne i qëndrojmë atij. Faktikisht një pjesë e mirë e këtyre tokave tani janë troje turistike. Unë jam i vendosur t’i qëndroj premtimit elektoral që u kemi bërë në Ksamil, në Orikum dhe kudo tjetër”./tvklan.al

Gazetare: Menada Zaimi