Nga Patogu, ku mori pjesë në inaugurimin e segmentit Fushëkuqe-Patog, një investim ky i buxhetit të shtetit me vlerë 260 milionë lekë kryeministri Berisha solli në vëmendje premtimin e qeverisë për asfaltimin brenda vitit 2010 të të gjitha akseve rrugore që të çojnë në bregdet.
Përkundër këtij realiteti të Shqipërisë që po zhvillohet, tha kryeministri, Edi Rama po tregon një tjetër model, atë të bashkisë së Tiranës, që edhe pse ka thithur pjesën më të madhe të fondeve që i takojnë pushtetit lokal, ka asfaltuar vetëm 12 kilometra rrugë.
Sali Berisha: “Në këtë komunë kemi ndërtuar 26 kilometra rrugë, apo dy pikë dy herë më shumë se ç’ka ndërtuar kryetari i bashkisë së Tiranës në kryeqytetin e vendit, zoti Rama. Shoku Rama, mendjen e ka tek një kupolë e ngushtë, ndonëse ka trefishuar, katërfishuar taksat qytetarëve të Tiranës. Ia ka dalë të asfaltojë gjithsej 12 kilometra rrugë. Kjo qeveri gjer tani ka përcaktuar të paktën 160 milionë euro, por ti zihesh me veten tënde dhe s’je i zoti të përdorësh ato.”
Duke iu referuar deklaratave të kryetarit të Partisë Socialiste për krizë të ekonomisë dhe financave publike në vend kreu i qeverisë përmendi realizimin e një sërë veprash në infrastrukturë, dëshmi sipas tij, e treguesve pozitiv të ekonomisë shqiptare.
Sali Berisha: “Zoti Rama, korridori i kombit që u inaugurua në vitin 2009, në mesin e vitit 2009, në mesin e krizës botërore, u ndërtua nga kriza apo u ndërtua nga paratë e shqiptarëve nga një ekonomi e cila është ndër më solidet në rajon? Zoti Rama, me krizë po ndërtohen këto qindra e mijëra kilometra rrugë në mbarë Shqipërinë, apo me të ardhurat e një ekonomie solide, entuziaste që zhvillohet çdo ditë e më shumë? Zoti Rama Me krizë po rriten rrogat e shqiptarëve dhe pensionet, si në asnjë vend tjetër të Evropës, apo me paratë dhe mundin e djersët e tyre mbi ekonominë shqiptare që zhvillohet? Kriza trefishoi vlerën e eksporteve shqiptare, mendon zoti Rama.”
Më pas, kreu i qeverisë e vuri theksin te kërkesa e ripërsëritur e kryetarit socialist për hapjen e kutive të votimit, duke nënvizuar se me këto thirrje Rama nuk mund të pengojë proceset integruese të vendit.
Sali Berisha: “Zoti Rama, njëlloj si ata që dikur synuan t’i fusin shqiptarët në bunker, ti kërkon t’i ndrysh ata në kuti vetëm e vetëm se daljen nga humbja e zgjedhjeve kërkon ta shëndrrosh në një dhimbje për mbarë shqiptarët. S’do arrish kurrë të pengosh as ndonjë proces të vetëm të këtyre qytetarëve dhe mos mendo ti, se duke paditur poshtë e përpjetë, duke ngritur çadra këtu apo aty, do mund të ndalësh rrotën e historisë, zhvillimin e vendit, jo dhe jo.”
Rruga Fushëkuqe-Patog, e gjatë 9.5 kilometra dhe me një gjerësi prej 8 metrash është një tjetër investim që i shtohet infrastrukturës së përmirësuar turistike në vend./tvklan.al