Kryeministri Sali Berisha inauguroi fillimin e punimeve për ndërtimin e rrugës që do të lidhë qendrën e komunës Prezë me rrugën kombëtare, një investim që konsiderohet mjaft i rëndësishëm për shkak dhe të potencialeve turistike që ofron zona e përmendur sidomos për kalanë e saj, ndërtimi i së cilës daton shekullin e 15-të.

Rruga do të kushtojë 176 milion lekë dhe është pjesë e projektit për përmirësimin e rrugëve dytësore dhe rurale.

Sali Berisha: “Preza, dikur fortesë e paepur, sot në këtë rrugë shndërrohet në një bizhu të vërtet turistike për banorët e saj, për qytetarët e Tiranë, qytetarët shqiptarë dhe të mbarë botës”.

Gjatë takimit me banorët e zonës kryeministri tha se rrugët dytësore janë pjesë e një angazhimi programor të qeverisë për ndërtimin e të gjithë infrastrukturës rrugore në vend.

Sali Berisha: “Kam kënaqësi që çelëm siparin e punimeve publike të pafundme të këtij viti me rrugën e komunës suaj, por ju siguroj se gjatë këtij viti ne do të inaugurojmë fillimin e punimeve me qindra dhe mijëra kilometra rrugë në të katërt anët e vendit. Rruga e Arbrit, autostradën Tiranë-Elbasan, segmentin e boshtit të jugut Berat-Tepelenë, vazhdojnë punimet Korçë-Qafë Plloçë dhe me mijëra kilometra, qindra dhe mijëra kilometra rrugë rurale”.

Kryeministri tha se rritja e investimeve qeveritare kryesisht në infrastrukturë vjen për shkak të një performance pozitive të ekonomisë shqiptare në raport me shumë vende evropiane, të cilat përjetuan një dimër të vërtet krize financiare.

Qeveria përktheu në investime dhe miliona lekë shpenzime të tepruara të administratës. Kryetari i qeverisë Sali Berisha garantoi banorët e zonës se qeveria që drejton do të zbatojë të plotë projektin e saj për një Shqipëri evropiane, ku shquan premtimi për liberalizimin e vizave.

Sali Berisha: “Është projekti në të cilin shqiptarët do ta ndjejnë veten qytetarë evropianë, së pari me heqjen e vizave brenda këtij viti siç është premtuar, me rritjen e vazhdueshme të rrogave dhe pensioneve, me ndërtimin e një infrastrukture më moderne në rajon dhe më gjerë, në zhvillimin më tej të potencialeve të mëdha te vendit, potencialeve ujore, turistike, minerare”.

Rruga që do të lidhë Prezën me aksin ekzistues rrugor Vorë-Rinas ka si donator qeverinë shqiptare dhe Bankën e Këshillit të Evropës për Zhvillim.

Ajo do të jetë e gjatë 3.7 kilometra me gjerësi deri në 5 metra, si dhe do të pajiset me trotuare dhe ndriçim.

Punimet sipas projektit janë parashikuar të përfundojnë brenda tetë muajve./tvklan.al

Gazetare: Menada Zaimi