Kryeministri Sali Berisha mori pjesë në panelin me temë, “Agjenda e Bashkimit Evropian”, pas traktatit të Lisbonës, në kuadër të samitit të Kroacisë, i cili po zhvillon punimet në Dubrovnik.
Në fjalën e tij gjatë këtij samiti kryeministri tha se zhvillimet pas traktatit të Lisbonës për Shqipërinë dhe rajonin nënkuptojnë përpjekje të mëdha dhe performancë më të mirë në projektet e tyre madhore.
Më tej ai vuri theksin tek reformat dhe arritjet e qeverisë shqiptare veçanërisht në luftën kundër krimit të organizuar, korrupsionit, informalitetit, evazionit fiskal dhe në reformimin e sistemit të drejtësisë.
Përmirësimi i klimës së biznesit ishte një tjetër temë e prekur nga kreu i qeverisë shqiptare. Përsa i përket marrjes së ftesës për në NATO zoti Berisha falënderoi vendet partnere për mbështetjen, ndërsa vlerësoi se marrja e kësaj ftese ishte një gjest për vlerësimin e reformave të realizuara.
Sali Berisha: “Në të gjithë samitin mbizotëron ideja se progresi i këtyre vendeve është shumë i ndjeshëm dhe unë pata rastin të njoh të pranishmit me të gjithë reformat në Shqipëri. Të dominojë ideja se Bashkimi Evropian, Komisioni Evropian, pavarësisht nga referendumi irlandez mbeten plotësisht të hapura për procesin e integrimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor”.
Lidhur me situatën në rajon kryeministri Berisha vlerësoi se pavarësia e Kosovës dhe ajo e Malit të Zi kishin një rëndësi thelbësore për ta bërë rajonin e Ballkanit më të lirë se kurrë më parë.
Sali Berisha: “Ishte i pranishëm edhe kryeministri i Kosovës duke plotësuar kështu një boshllëk që ka ekzistuar për disa vite, por që tani Kosova u përfaqësua me shumë dinjitet nga kryeministri i saj. Fola sepse ai është një problem delikat që i intereson të gjithë rajonit. Çështja e Mitrovicës nuk është vetëm një çështje e Kosovës, por është një çështje e gjithë rajonit mbasi krijimi i strukturave paralele në komunat me popullatë homogjene është praktika më e gabuar, është praktikë e cila bie ndesh me angazhimin dhe përgjegjësitë që secili vend nga ne ka për paqen dhe stabilitetin në rajon.”
Gjatë qëndrimit në Kroaci kryeministri Berisha zhvilloi takime me të gjitha personalitetet e larta që merrnin pjesë në këtë samit për sigurinë, zhvillimin dhe prosperitetin.
Takime të veçanta ai pati me ndihmës sekretarin e zyrës për çështjet e Evropës dhe Evrazisë në departamentin e shtetit, Daniel Fried, Ministrin e Jashtëm të Suedisë, Carl Bildt, kryeministrin e Kroacisë, Ivo Sanader, kryeministrin e Kosovës, Hashim Thaçi, kryeministrin e Malit të Zi, Milo Gjukanoviç, si dhe ministra dhe ambasadorë të vendeve të ndryshme./tvklan.al
Gazetare: Menada Zaimi