Kryeministri Berisha ka vizituar familjen e të ndjerit Njazi Reçi, prefekti i qarkut të Lezhës, i cili u nda nga jeta mbrëmjen e djeshme në moshën 64-vjeçare si pasojë e një ataku kardiak.

Shefi i qeverisë, i shoqëruar dhe nga deputetët, Preç Zogaj e Gjok Vuksani u ka përcjellë familjarëve ngushëllimet e tij, por edhe të kabinetit qeveritar.

Sipas kryeministrit shoqëria shqiptare ka humbur jo vetëm një prej qytetarëve të saj më shembullor, por edhe qeveritarëve më të përkushtuar.

Sali Berisha: “Njazi Reçi është shquar gjithë jetën si një prind shembullor, si një qytetar shembullor, si një drejtues dhe një qeveritar vendor i dashur dhe i respektuar nga i gjithë komuniteti si një zyrtar i talentuar. Ndahet nga jeta duke lënë kujtimin më të mirë, emrin më të shkëlqyer për familjen, për Lezhën, për shoqërinë, për të gjithë miqtë e tij”.

Njazi Reçi ka mbajtur në të kaluarën funksionin e kryetarit të bashkisë së Lezhës dhe që prej vitit 2005 është emëruar në postin e prefektit të këtij qarku.

Homazhe në nderim të ish-prefektit të Lezhës kanë bërë edhe kryeparlamentarja Jozefina Topalli dhe Ministri i Brendshëm, Bujar Nishani.

Dy personalitetet kanë shprehur vlerësimin për punën dhe kontributin e Njazi Reçit duke e cilësuar humbjen e tij si një humbje për të gjithë shoqërinë./tvklan.al