Për kryeministrin Berisha arritja e buxhetit të shtetit për vitin e ardhshëm e afro 1 miliard dollarë është fryti i reformave ekonomike të ndërmarra nga qeveria.
Duke prezantuar përpara grupit të tij parlamentar projektbuxhetin prej 5.2 miliard dollarëve të vitit 2009 Berisha ka renditur me detaje të gjitha zërat që kanë peshën kryesore në të ardhurat buxhetore të vitit të ardhshëm.
Sali Berisha: “Ky është buxheti më i madh në historinë e këtij vendi. Ky buxhet i jep të gjitha mundësitë qeverisë sime të mbajë plotësisht premtimin e dhënë për 800 mijë familje shqiptare rritjen e pensioneve në fshat me 20%, rritjen e pensioneve në qytet me 10%, dyfishimin e rrogave të mësuesve, infermierëve, rritjen thelbësore të ndihmës ekonomike dhe rrogave të tjera përveç atyre të larta”.
Kryeministri ka garantuar se prioritetet e kësaj qeverie dhe për vitin e ardhshëm do të jetë infrastruktura rrugore, bujqësia, arsimi dhe shëndetësia.
Kreu i mazhorancës i ka kërkuar deputetëve demokratë angazhim maksimal që buxheti të kalojë pa vonesa në komisionet parlamentare për të mos ndikuar në procesin zgjedhor./tvklan.al
Gazetare: Elja Zotka