Kryeministri Berisha, ka përshëndetur deklaratën e këshillit të ministrave të Bashkimit Evropian për marrjen në shqyrtimin të kërkesës së Shqipërisë për statusin e vendit kandidat, pas përfundimit të procesit zgjedhor.
Në një konferencë për shtyp kreu i qeverisë, ndërsa falënderoi bllokun 27 anëtarësh, siguroi se procesi i integrimit mbetet në krye të agjendës së qeverise së re.
Sali Berisha: “Shpreh kënaqësinë time për deklaratën e sotme të këshillit të ministrave, të vendeve anëtarë të BE-së në të cilën konfirmohet edhe njëherë qëndrimi i shprehur për të shqyrtue pas përfundimit të procesit zgjedhor kërkesën e Shqipërisë për statusin e kandidatit. Garantoj qytetaret shqiptar se do të procedohet me të gjitha reformat që mundësojnë shpejtimin e procesit të integrimit të Shqipërisë në BE. Do të procedohet me të gjitha detyrimet të cilat mundësojnë mbajtjen e premtimit tim elektoral se gjate viti të parë të mandatit të dytë do të vendoset liberalizimi, heqja e vizave për shqiptarët”
Një tjetër çështje për nga rëndësia po aq madhore sa përshpejtimi i integrimit të vendit në BE për kryeministrin Berisha ishte dhe shpallja e rezultateve të zgjedhjeve nga KQZ-ja. Duke u ndalur tek deklaratat e socialisteve për të mos i njohur këto zgjedhje, kreu i qeverise e cilësoi këtë qëndrim ekstremist dhe kundër produktiv.
Sali Berisha: “Sot KQZ me një akt të përgjegjësisë më të lartë, unik votoi 7-0 edhe mandatet që kishin mbetura pa votuar për shqyrtim. Votimi 7-0 i të gjitha mandateve, i të gjitha qarqeve është një dëshmi e shkëlqyer e funksionimit të këtij institucioni në përputhje me ligjin elektoral. Unë nuk gjej ndonjë arsye që zoti Rama t’i prij drejtimit të mosnjohjes së rezultatit të zgjedhjeve, do të ishte një, do të ishte do të thosha unë një veprim shumë kundër produktiv”.
Por gjatë deklaratës së tij bërë për mediat kryeministri Berisha i ka bërë thirrje opozitës që të ofroje bashkëpunimin e saj gjatë këtij mandati të dytë për çështjet që sipas tij janë me interes madhor për vendin.
Sali Berisha: “Ftoj opozitën që të dale nga sindroma e hidhërimit dhe e trishtimit që krijon humbja që është e natyrshëm, sepse nuk mund të.. askush nuk mund të thotë se e pret humbjen me buzëqeshje. Jo, nuk pritet me buzëqeshje. Për të dalë nga ky sindromë dhe të vendosim urat e bashkëpunimit në interesin më të mirë të pluralizmit politik, në interesin më të mirë të vendit. Unë e garantoj qëndroj plotësisht i vendosur në frymën e kompromiseve dhe të bashkëpunimit të procedoj me reformat më të thella në interesin më të mirë të qytetarëve shqiptar dhe të vendit”.
Gjatë konferencës për shtyp kryeministri Berisha tha se koalicioni i ri qeverisës mes PD-së dhe LSI-së do të përmbushë objektivin për kthimin në realitet të projektit të Shqipërisë Evropiane.
Ai hodhi poshtë zërat për mungese likuiditeti në firmat që kanë marrë përsipër kryerjen e veprave publike, duke u shprehur se së shpejti do të inaugurohen një sërë aksesh të rëndësishme rrugore si ai Golem-Rrogozhinë, Rruga Kardhiq-Delvinë dhe një pjesë e rrugës së Arbrit./tvklan.al
Gazetare: Jolldiz Mitro