Korridori i tetë ka mbledhur ne Tirane ministrat e transporteve te Shqipërisë, Italisë, Bullgarisë dhe Maqedonisë, katër vendeve ku është projektuar te kaloje ky aks i rëndësishëm infrastrukturor.

Kryeministri Berisha, pjesëmarrës ne këtë konference, garantoi vendosmërinë e qeverise shqiptare për nisjen e punimeve brenda pak muajsh, te pjesës qe i takon nga korridori i tetë.

Kreu i ekzekutivit e përkufizoi këtë korridor si një ëndërr te madhe evropiane për vendet tona e qe duhet te ndërtohet pavarësisht nga çmimi.

Sali Berisha: “Shqipëria do të fillojë ndërtimin e korridorit. Do të fillojë brenda 2-3 muajve që vijnë. Shqipëria do të ndërtojë segmentin Tiranë-Elbasan. Shqipëria po ndërton një segment tjetër të këtij korridori jashtëzakonisht të rëndësishëm, Tiranë-Bllatë, dhe në këtë drejtim, distanca me Tiranën shkurtohet 100 kilometra. Por le t’i bëjmë këto ndërtime të organizuara, nën ombrellën e një korridori të madh. Sot korridori i tetë përbën një ëndërr evropiane për kombet tona. Kemi diskutuar dhe kemi rënë dakord që këtë proces ta udhëheqë Italia, vendi me peshën më të madhe në Bruksel.”

Ministri Olldashi solli te tjera detaje te projekteve qe po ndërmerr Shqipëria ne kuadër edhe te korridorit 8.

Sokol Olldashi: “Aksi Durrës-Vlorës që lidh dy portat hyrëse të korridorit 8 është pjesërisht i përfunduar dhe në një segment të shkurtër të tij në ndërtim e sipër. Vlorë-Fier është segmenti që është duke u ndërtuar, Fier-Rrogozhinë është e mbyllur, Rrogozhinë-Durrës është në rikonstruksion me një vlerë rreth 60 milion euro, Durrës-Tiranë është rruga aktuale ekzistuese. Unaza e Madhe e Tiranës, e cila në bashkëpunim me bashkinë e kryeqytetit dhe  me IBRD pritet të fillojë së shpejti. Paralelisht me rrugët po investojmë në ato që quhen portat hyrëse të korridorit të tetë në territorin shqiptar, pra portet e Durrësit dhe të Vlorës”.

Ideja për ndërtimin e korridorit 8 u artikulua ne fillim te viteve ‘90, por për shkak te konflikteve ne rajon projekti u la pas dore.

Korridori 8 i ngjan një ure qe do te lidhe Mesdheun me Detin e Zi. Jo vetëm rruge, por edhe rrjet hekurudhor dhe porte janë pjese e këtij projekti.

Pikënisja është porti i Barit ne Itali, vijon me tej ne Durrës, Shkup, Sofje dhe përfundon ne portin bullgar te Burgasit ne Detin e Zi.

Ministri italian i Transporteve, Altero Matteoli hodhi idenë e përfshirjes edhe te Napolit ne këtë korridor.

Altero Matteoli: “Korridori 8 është një projekt i rëndësishëm i zhvillimit ekonomik për mbare rajonin. Shume shpejt do te përcaktojmë nevojat dhe burimet qe mund te thithim nga Bashkimi Evropian. Nëse do te zgjatet deri ne Napoli gjatësia e korridorit shkon ne 1800 kilometra.”

Ministrat e transporteve nënshkruan edhe një deklarate të përbashkët, ku shprehin vullnetin e katër vendeve për t’i dhënë një shtysë të re konkretizimit te korridorit 8./tvklan.al

Gazetar: Fjorald Zguro