Sali Berisha: “Për policinë e shtetit, por dhe për mbarë vendin, për kombin në tërësi kjo është një e premte e zezë. Sot ra në krye të detyrës për t’u bërë të pa vdekshëm anëtarët e policisë së shtetit. Drejtues, Fatos Shaqir Xhani, komandant në forcën e posaçme në Drejtorinë Kundër Krimit të Organizuar, kryeinspektor Kastriot Çlirim Feskaj, kryeinspektor Sajmir Islam Duçkollari, Kryeinspektor Altin Idriz Dizdari, të njësisë operative në forcën e posaçme të Drejtorisë Kundër Krimit të Organizuar. Drejtues, Fatos Shaqir Xhani, Kryeinspektor Kastriot Çlirim Feskaj, Kryeinspektor Sajmir Islam Duçkollari, Kryeinspektor Altin Idriz Dizdari, ranë në krye të detyrës në një operacion që ata ndërmorën për të kapur kriminelin më të kërkuar, më të rrezikshëm të analeve të krimit shqiptar Dritan Dajtin dhe bandën e tij. Sot familjet e Fatos Xhanit, Kastriot Feskaj, Sajmir Duçkollari, Altin Dizdari, fëmijët e tyre të vegjël, bashkëshortet, prindërit, familjarët e tjerë, miqtë e tyre janë në zi të thellë për humbjen e njerëzve të tyre më të dashur. Forcat e rendit kanë humbur oficerët më trima të tyre, kombi shqiptarë shërbëtorët e vet më të përkushtuar. Duke shprehur dhimbjen e thellë, solidaritetin e madh me fëmijët, bashkëshortet, familjarët dhe të gjithë anëtarët e forcave të rendit. Qeveria ka vendosur që Drejtues, Fatos Shaqir Xhani, Kryeinspektor Kastriot Çlirim Feskaj, Kryeinspektor Sajmir Islam Duçkollari, Kryeinspektor Altin Idriz Dizdari, në përputhje me procedurat ligjore të shpallen Dëshmorët e Atdheut. Dhe dita e nesërme në nderim të kujtimit, veprës, trimërisë, heroizmit dhe sakrificës tyre sublime të shpallet ditë zie. Flamujt në të gjitha institucionet shtetërore, flamuri kombëtarë do të ulet në gjysmë shtizë. Në orën 12:00, në nderim të 4 Dëshmorëve të Atdheut të ndërpritet çdo veprimtari dhe të mbahet 1 minutë heshtje. Homazhet zyrtare për të nderuar të rënët e policisë shtetit, do të bëhen në Pallatin e Kongreseve, ndërsa varrimi i tyre do të bëhet në varrezat e Dëshmorëve të Kombit”.

Klodian Branko: “Homazhet për Dëshmorët e Atdheut. Drejtues Fatos Shaqir Xhani, Kastriot Çlirim Feskaj, kryeinspektor Sajmir Islam Duçkollari, kryeinspektor Altin Idriz Dizdari, zhvillohen ditën e shtunë në Pallatin e Kongreseve nga ora 11:30 deri në orën 13:00. Homazhet janë të hapura për të gjithë qytetarët”./tvklan.al