Raportuesi për Shqipërinë në Parlamentin Evropian, Nicholaos Chountis, ka garantuar kryeministrin Sali Berisha për mbështetjen e Parlamentit Evropian për dy projektet madhore të qeverisë shqiptare, liberalizimin e vizave dhe statusin e vendit kandidat.
Kryetari i qeverisë e njohu zyrtarin e huaj me faktin e plotësimit të pyetësorit evropian prej 2284 pyetjesh apo dhe përmbushjen e kritereve të udhërrëfyesit për liberalizimin e vizave.
Raportuesi i Parlamentit Evropian vlerësoi kryeministrin Sali Berisha për punën e jashtëzakonshme të bërë gjatë kësaj periudhe.
“Ne dëshirojmë dhe besojmë fuqishëm që shqiptarët të gëzojnë sa më parë të drejtën e qarkullimit pa viza në zonën Shengen si çdo qytetar tjetër evropian”- i tha Chountis kryeministrit Berisha.
Raportuesi për Shqipërinë në Parlamentin Evropian u takua dhe me kryetarin e Shtetit, Bamir Topi.
Zoti Topi bëri një përshkrim të situatës politike në vend ku vlerësoi rivendosjen e dialogut politik mes opozitës dhe mazhorancës dhe u shpreh optimist për kapërcimin sa më shpejt të ngërçit politik.
Zoti Chountis theksoi rëndësinë që ka qëndrueshmëria politike në përmbushjen e kritereve integruese të Shqipërisë.
Çështje të përmbushjes së standardeve për liberalizimin e vizave u diskutuan dhe gjatë një takimi që kryeministri Sali Berisha zhvilloi me presidentin e Policisë Federale Kriminale të Gjermanisë, Jorg Zirke.
Ky i fundit i tha kryeministrit Berisha se ka mbetur jashtëzakonisht i impresionuar nga standardet teknike dhe profesionalizmi i policisë shqiptare duke nënvizuar se në këtë drejtim Shqipëria është në rrugë të mbarë./tvklan.al
Gazetare: Menada Zaimi