Qeveria shqiptare ka përmbushur detyrimet e udhërrëfyesit për liberalizimin e vizave. Ky është konstatimi që ka bërë delegacioni i Parlamentit Evropian, i cili ka mbërritur në Tiranë në një vizitë disa ditore që përfshin një njohje në terren të hapave të hedhura nga vendi ynë.
Vlerësimin për përmbushjen e detyrimeve e bëri Presidenti i Komisionit për Ballkanin në Parlamentin Evropian, Eduard Kukan, gjatë takimit me Kryeministrin Berisha.
Eduard Kukan: “Ne si deputetë të Parlamentit Evropian do të vazhdojmë të ngremë zërin lart në favor të heqjes së vizave për qytetarët shqiptarë sa më shpejt”.
Zoti Kukan tha se delegacioni konstatoi në vend funksionimin efikas të të gjitha sistemeve për kontrollin e integruar të kufirit dhe infrastrukturës e lidhur me çështjet e migracionit në institucionet shqiptare.
Kryeministri u njohu europarlamentarët me masa të rëndësishme legjislative të miratuara gjatë kësaj periudhe nga qeveria shqiptare dhe Kuvendi, si ligji antimafia, shtyrja e afatit për moratoriumin për skafet, etj. Z. Berisha i shprehu eurodeputetëve vendosmërinë e qeverisë shqiptare për të ndërmarrë çdo reformë, miratuar çdo masë dhe paguar çdo çmim që këto procese të përmbyllen me sukses sa më parë. Në takim u diskutua dhe mbi situatën politike në Shqipëri.
Kryeministri foli për vendosmërinë e qeverisë shqiptare për të dhënë të gjithë mbështetjen e nevojshme buxhetore dhe institucionale për 100 prokurorë, të cilët në mënyrë të pavarur dhe të paanshme do të hetojnë dhe të realizojnë në mënyrë sa më të shpejtë transparencën.
Z. Berisha i vuri me dije eurodeputetëve për ngritjen e Komisionit Hetimor Parlamentar pas kërkesës së opozitës, duke i garantuar ata për angazhimin e plotë të qeverisë për respektim të plotë të Kushtetutës në punën e tij.
Edhe në takimin me kryetaren e Kuvendit, JozefinaTopalli, delegacioni vlerësoi pozitivisht përmbushjen nga qeveria shqiptare të detyrimeve teknike për liberalizimin e vizave me Bashkimin Evropian.
Eduard Kukan: “Jemi të impresionuar nga arritjet e vendit tuaj në plotësimin e detyrimeve teknike që lidhen me heqjen e vizave. Ajo që pamë dje në Tiranë, mbi instrumentet teknikë që lidhen me heqjen e vizave ishte shumë impresionuese për të gjithë,”
Fajon ju referua vizitës së saj të fundit në Tiranë, duke dalë në konkluzion se përparimi është i dukshëm:
Tanja Fajon: “Nga muaji dhjetor, Shqipëria ka arritje të jashtëzakonshme në plotësimin e kushteve teknike lidhur me liberalizimin.”
Eurodeputetët shprehën mbështetjen e plotë të parlamentit evropian për heqjen e vizave për shqiptarët.
Kryeparlamentarja Topalli vlerësoi kontributin e PE që Shqipëria të realizojë sa më parë objektivat e saj integrues.
Jozefina Topalli: “Shqipëria dhe shqiptarët e meritojnë heqjen e vizave pasi detyrimet teknike janë plotësuar dhe vokacioni pro evropian i shqiptarëve është një promotor zhvillimi. Asnjë individ nuk mund të pengojë arritjen e kësaj ambicie të madhe.”
Duke u ndalur në situatën politike, Kryetarja e Kuvendit e njohu delegacionin me vendimin e fundit të Parlamentit për ngritjen e Komisionit për Transparencën e Zgjedhjeve të 28 qershorit.
Jozefina Topalli: “Ky komision, bazohet në dy parimet themelore që Komisionari për Zgjerim Fule theksoi në deklaratën e tij: transparencë e plotë dhe respekt i Kushtetutës. Si Kryetare e Kuvendit, unë i kam ftuar dhe shpresoj që deputetët socialistë të vijnë në komisionin hetimor të zgjedhjeve dhe të bëhen pjesë e transparencës dhe respektimit të Kushtetutës së vendit.”
Delegacioni i Parlamentit Evropian u takua dhe me Presidentin Bamir Topi. Kryetari i shtetit tha se liberalizimi i vizave për Shqipërinë ishte një hap tepër pozitiv që do të afronte më tepër dhe jo vetëm shpirtërisht shqiptarët me familjen e madhe evropiane.
Bashkëbisedimi u ndal në mënyrë të veçantë në situatën politike në Shqipëri. Duke shprehur besimin se partitë politike do të dinë të tregojnë vullnetin e tyre për kapërcimin e kësaj situate, presidenti Topi nënvizoi se zgjidhja institucionale e saj do t’u shërbente interesave madhore të qytetarëve shqiptarë për një të ardhme të sigurt dhe në BE./tvklan.al
Gazetare: Menada Zaimi