Në 187 qendrat e votimi në zonat me shumicë shqiptare do të hedhin votën e tyre mbi 161 mijë qytetarë.
Autoritetet janë të bindur se ky proces nuk do të përgjaket si më 1 Qershor, ndërkohë që Brukseli dhe Uashingtoni kanë shtuar thirrje për qetësi dhe përmbajtje, sidomos të partive shqiptare.
Kryeministri Sali Berisha u bëri thirrje partive shqiptare në Maqedoni të distancohen nga aktet e dhunës.
Sali Berisha: “Uroj dhe shpresoj që dëshiroj që zgjedhjet e datës 15 të jenë një model i denjë për qytetarët shqiptarë në Maqedoni. U bëj thirrje forcave politike të ndërmarrin çdo masë për të shmangur dhunën, tensionet dhe të dënojnë me vendosmëri të gjithë grupet kriminale, banditeske, gangsterë, të cilët shqetësojnë, dhunojnë, nuk lënë që shqiptarët në Maqedoni të votojnë në lirinë e tyre, të shprehin vullnetin e tyre. Ky është interesi më jetik i tyre. Ky është interesi i Shqipërisë, ky është interesi i Kosovës, ky është interesi i paqes, stabilitetit më gjerë se sa në Republikën e Maqedonisë”.
Ndërkaq shefi i diplomacisë së Sllovenisë, Dimitrij Rupel po qëndron për vizitë në Shkup.
Ai duket se ka marrë garanci të drejtpërdrejta nga liderët politik shqiptarë dhe qeveria për një proces të qetë dhe korrekt zgjedhor në rivotimet e 15 qershorit./tvklan.al
Gazetare: Urita Dokle