Gjatë vizitës së tij në qytetin e Shkodrës kryeministri Berisha inspektoi dhe inauguroi një sërë veprash publike, arritje të mandatit 4-vjeçar të qeverisë.
Kreu i mazhorancës u ndal fillimisht në Koplik, ku inspektoi punimet për linjën e interkonjekisonit 400 kilovolt Tiranë-Podgoricë. Investim ky që pritet t’i japë zgjidhje furnizimit me energji të veriut të vendit dhe do të përmirësojë ndjeshëm kapacitetin e energjisë në endet e rajonit.
Sali Berisha: “Sot erdha këtu për të inspektuar përparimin e madh që ka bërë ndërtimi i kësaj linje, e cila lidh Tiranën me Podgoricën. Një linjë jashtëzakonisht e rëndësishme, e cila do të japë dimensione të reja lirisë së tregut në të dy vendet tona. Do të garantojë një furnizim të stabilizuar të dy vendeve, por edhe një kontribut madhor në mbarë rajonin.”
Në këtë ndalesë kryeministri shfrytëzoi rastin për të komentuar edhe rrëzimin e buxhetit të bashkisë së kryeqytetit, duke e cilësuar atë si një dështim të vetë kryebashkiakut.
Sali Berisha: “Shqipëria po ndryshon ne ecim të sigurt drejt mandatit të dytë. Zotërisë që numëron ditët më duhet t’i them, mos numëro ditët, por numëro dhe orët, se absolutisht ata po shkojnë drejt asaj date në të cilën ti lutju Zotit të mbetesh kryetari i partisë së bashkisë së Tiranës. Se je i vetmi kryetar bashkie në Europë buxhet humbur, por sidoqoftë numëroi mirë ditët mos i harro.”
Më pas kreu i ekzekutivit inauguroi përfundimin e punimeve të rrugës hyrëse në qytetin verior, projekt i cili i paraprin ndërtimit të Bay-passit të Shkodrës dhe lidhjen e rrugëve të brendshme me unazën e qytetit.
Ai deklaroi se ky investim është në kuadër të modernizimit të infrastrukturës në kryeqendrën e veriut, duke u shprehur se së shpejti qeveria do të nisë zbatimin projektit për ndërtimin e autostradës me 4 korsi Shkodër-Hani i Hotit, aksi do të lidhet me Podgoricën në Mal të Zi dhe do të intensifikojë marrëdhëniet me këtë vend.
Duke folur për ligjin e lustracionit të miratuar një muaj më parë në parlament, kreu i qeverisë u shpreh se Rama përjashtoi opozitën nga konsensusi, që kërkonte një akt i tillë për moralin e gjithë shoqërisë.
Sali Berisha: “Si ka mundësi të shtrojë pyetjen ti që në vitit ‘90 erdhe në këtë qytet dhe themelove partinë opozitare të Kiss-it, parti e cila fund e krye platformën e kishte dënimin e sistemit komunist. Çfarë ndodhi me ty? Eja në Shkodër kërko të falur, bashkohu në dënimin e krimeve monstruoze të komunizmit. Do të dalë nga gjuha zyrtare në këtë moment dhe do të theksoj, në rast se edhe ti nuk je i mjeruar, pra me vrimë që në rini, siç po thonë dëno krimet kundër komunizmit, përndryshe do më bësh të besoj se je i dredhur në rininë tënde.”
Në fjalën e tij kryeministri theksoi, se qeveria është e angazhuar maksimalisht në mbajtjen e premtimeve dhe integrimin e vendit në familjen europiane./tvklan.al
Gazetar: Simon Shkreli