Kryeministri Sali Berisha ka parë nga afër situatën në zonat e bllokuara nga dëbora në veri dhe verilindje të vendit, ku është ndalur fillimisht në qarkun e Dibrës e më pas në atë të Kukësit.

Në Dibër ai është njohur me gjendjen e rrugëve dhe atë të komunave të bllokuara nga drejtues të shtabit të emergjencës dhe ka kërkuar angazhim maksimal të të gjitha strukturave për zhbllokimin e rrugëve.

Kryeministri tha se në këtë operacion janë përfshirë dhe forcat e ushtrisë.

Sali Berisha: “Kërkohen dy gjëra, mobilizim dhe parashikim. Qeveria ka kërkuar prefekturave të shpallin gjendjen e emergjencës mbi bazën e të cilës ata në përputhje me ligjin mobilizojnë çdo resurs lokal në funksion të zgjidhjes së emergjencës. Tek emergjencat njeriu është i pari. Ne kudo që të ndodhet një qytetar nuk duhet të lëmë asnjë lloj përpjekje pa bërë për ta ndihmuar atë.”

Edhe në qarkun e Kukësit kryeministri u njoh me situatën e krijuar nga reshjet e dëborës dhe ngricat, premtoi ndihmë të qeverisë për banorët që po vuajnë situatën për ta kapërcyer atë, ndërsa pasi ka parë se edhe në këto kushte shkollat funksionojnë ka ftuar kryetarin e Partisë Socialiste të marrë shembull nga kjo bashki.

Sali Berisha: “Në Peshkopi më informuan që i kanë të gjitha, i kanë me ngrohje dhe pa asnjë problem. Ju besoj me ngrohje, shumë mirë. Të vijë kryetari i bashkisë së Tiranës të marrë shembull sesi ngrohen shkollat sepse bëri një udhëtim në Kala të Dodës dhe çfarë bëri? I mblodhi në Elbasan të famshmen asamble dhe u tregonte atyre sikur kish qenë në ferr, jo në një nga zonat më të bukura të vendit dhe më mikpritëse dhe tani u tregonte asambleistëve sesi kishte fjetur një natë, si kish kaluar një natë, si kishte vuajtur një natë në Kala të Dodës. Keni për të parë kur të përfundojë te kasollja e Galigatit”.

Shefi i qeverisë vizitoi dhe spitalin rajonal të Kukësit dhe përgëzoi mjekët për gatishmërinë që ata kanë treguar.

Në çdo rast të paraqitur për ndihmë ndërkohë për situatën e krijuar nga dëbora në veri dhe verilindje shtabi i emergjencave i kryesuar nga zv/kryeministri Pollo ka vendosur dislokimin e gjashtë automjeteve borëpastruese të Xhenios në disa segmente kryesore rrugore.

Genc Pollo: “Aksi Pukë-Fushë Arrëz, Shën Mëri-Kukës, Burrel-Bulqizë, Maqellarë-Peshkopi, komuna e Lurës në rrugën nga Rrësheni drejt saj si dhe rrugë kryesore në një pjesë të rrethit të Librazhdit. Shtabi i emergjencës së qeverisë, i cili pasi dëgjoi raportimin e Ministrisë së Brendshme për situatën caktoi automjete shtesë e gjithë arsenalin në këtë pikë të forcave të armatosura për ta angazhuar në akset që paraqesin vështirësi”.

Në fillim të javës shtabi i emergjencave nisi shpërndarjen e ndihmave me anë të helikopterëve për disa komuna të bllokuara prej ditësh nga dëbora./tvklan.al

Gazetare: Menada Zaimi