Lajme Arkiva – TV Klan 2004

Dita e Verës në Tiranë nuk i shpëtoi politizimit. Ndërsa kryeministri Fatos Nano nderonte festimet në sheshin “Europa” dhe banda luante himnin kombëtar, për të treguar shartimin e një feste, në qiellin e kaltër të një Dite Vere u lexuan parullat “Nano ik”, ndërsa pak hapa larg kryeministrit Nano, disa qytetarë me maska në fytyrë protestonin. Kreu i qeverisë nuk u ngacmua nga ky detaj, duke dhënë mesazhin e paqes dhe bashkëjetesës.

Fatos Nano: “Është një shfaqje e qytetërimit tonë, njerëzit gëzojnë, njerëzit dënojnë dhunën, njerëzit duan paqen, njerëzit shijojnë hapësirat e demokracisë, njerëzit kërkojnë njëri-tjetrin, njerëzit më kërkojnë dhe mua”.

Shefi i ekzekutivit i shoqëruar nga dy anëtarë të kabinetit të tij, Igli Toska dhe Blendi Klosi, ka përshkruar për gati dy orë bulevardin e Tiranës, ku të rinj dhe artistë, ofronin bollëkun e një jete argëtuese të munguar, humor, këngë dhe valle, punime artistike dhe lojëra sportive, madje këto kryeministri dhe ministrat e tij kanë tentuar të provojnë shansin.

Mjaft insistues dhe larg kostumit zyrtar të parashikuar si veshje hierarkie dhe në kontratën e firmosur me të gjithë ministrat në fillim të mandatit, kryeministri Fatos Nano tentoi të finalizonte lojën e basketbollit të nisur pak minuta më parë nga djemtë e akademisë, por rezultati nuk doli me sukses as për Ministrin e Sportit Klosi. Kreu i dikasterit blu Toska, i ka dhënë fund argëtimit qeveritar duke shënuar më mirë se dy lojtarët e parë.

Vetëm pas një jave, qytetarët do të lëvizin në të njëjtin bulevard, kësaj radhe për të parë ndeshjen e opozitës./tvklan.al

Gazetare – Arta Tozaj