Kosova hyri këtë fundjavë në muajin e shtatë të funksionimit të saj si shtet i pavarur dhe sovran.
Kryeministri Hashim Thaçi në një konferencë për media ka prezantuar sot të arriturat dhe dështimet që shoqëruan vendin këto gjashtë muaj.
Hashim Thaçi: “Këta gjashtë muaj për Kosovën kanë qenë muaj historikë. Kosovën e shpallëm shtet të pavarur, sovran, demokratik. Menjëherë Kosova vazhdoi me plotësimin e agjendës së vet shtetërore, institucionet nxorën simbolet e shtetit, flamurin, stemën dhe himnin. Shtetin e Kosovës, falë bashkëpunimit të ngushtë me partnerët perëndimorë dhe vizionin tonë të qartë të njohin rreth 45 shtete më të fuqishme të botës. Populli ynë është me vizion të qartë pro perëndimor. I beson Shteteve të Bashkuara të Amerikës, i beson Bashkimit Evropian, i beson NATO-s”.
Kryeministri Hashim Thaçi ka përmendur edhe vështirësitë.
Hashim Thaçi: “Vështirësia e parë ka qenë me bind komunitetin ndërkombëtar me shpall pavarësinë sa më shpejt që është e mundur prej momentit që kemi formuar institucionet e reja demokratike. Nuk ka qenë e lehtë edhe menaxhimi i situatës duke shpallur pavarësinë e Kosovës dhe duke mos ndodhur asnjë incident ndëretnik. Për herë të parë kemi një qeveri që nuk pajtohet me atë realitet dhe që punon për të ndryshuar”.
Suksesi më i madh i Kosovës këto muaj të funksionimit të saj si shtet konsiderohet menaxhimi i situatës së sigurisë, ndërkohë që dështimi më i madh vlerësohet të jetë pamundësia e institucioneve të Prishtinës që të shtrijnë ndikimin e tyre në tërë territorin e vendit./tvklan.al