Kryeministri kosovar, Hashim Thaçi, është dekoruar me titullin “qytetar nderi” nga Bashkia e Vlorës.

Pas Durrësit ai ka bërë një vizitë simbolike në këtë qytet ku ka vendosur një kurorë me lule në monumentin e pavarësisë dhe ka inauguruar rikonstruktimin e Sheshit të Flamurit.

Gjatë vizitës së tij në qytetin bregdetar Thaçi është ndalur në një takim me kreun e bashkisë së Vlorës, Shpëtim Gjika, dhe autoritetet e qarkut ku ka vlerësuar bashkëpunimin dhe rrugën e përbashkët mes dy vendeve.

Për nder të kryeministrit të parë të Kosovës së pavarur në teatrin “Petro Marko” është organizuar dhe ceremonia e dhënies së titullit “qytetar nderi”.

Hashim Thaçi ka falënderuar të gjithë popullin e Vlorës për pritjen e organizuar. Ai është shprehur se Vlora ka qenë qyteti i ëndrrave, jo vetëm për të, por për të gjithë popullin e Kosovës.

Hashim Thaçi: “Është një moment i veçantë në jetën time. Qyteti i Vlorës i ka bashkuar gjithmonë mendjet, shpirtrat dhe përpjekjet e shqiptarëve kudo që kanë jetuar dhe të gjithë kudo që kemi jetuar jemi krenuar me Vlorën heroike”./tvklan.al

Gazetare: Elja Zotka