Kryeministri i Japonisë, Fumio Kishida në një fjalim të papritur, ka bërë të ditur se do të japë dorëheqjen muajin e ardhshëm, duke iu dorëzuar pakënaqësisë publike për skandalet politike dhe rritjen e kostove të jetesës.
“Politika nuk mund të funksionojë pa besimin e publikut. E mora këtë vendim duke menduar për publikun, me vullnetin e fortë për të shtyrë përpara reformën politike. Që Partia Liberale Demokratike të ndryshojë duhet që unë të tërhiqem. Nuk do të kandidoj për zgjedhjet e ardhshme presidenciale. Unë do të vazhdoj të mbështes liderin e ri që do të zgjidhet në zgjedhjet presidenciale.”
Partia Liberale Demokratike do të zhvillojë një garë në Shtator për ta zëvendësuar atë si president i partisë në pushtet dhe më pas si kryeministër i Japonisë. Popullariteti i Kishidës filloj të bjerë pasi ai mori detyrën në vitin 2021 si dhe pas një skandali financimi që detyroi Kishidan të shkarkojë katër ministra të kabinetit vitin e kaluar.
Kushdo që pason Kishidën, duhet të rivendosë besimin tek publiku dhe të trajtojë rritjen e kostos së jetesës, përshkallëzimin e tensioneve gjeopolitike me Kinën dhe rikthimin e mundshëm të Donald Trump si president i SHBA-së vitin e ardhshëm. Largimi i Kishidas mund të nënkuptojë kushte më të rrepta fiskale dhe monetare.
Gjatë qëndrimit të tij në pushtet ai dyfishoi gjithashtu shpenzimet e mbrojtjes që synuan të pengonin ambiciet territoriale të Kinës fqinje në Azinë Lindore përmes forcës ushtarake. Me nxitjen e Uashingtonit, Kishida rregulloi gjithashtu marrëdhëniet e tensionuara të Japonisë me Korenë e Jugut, duke u mundësuar të dy vendeve dhe aleatit të tyre të përbashkët, SHBA-së, të ndjekin një bashkëpunim më të thellë të sigurisë për të kundërshtuar kërcënimin e paraqitur nga programet e raketave dhe armëve bërthamore të Koresë së Veriut.
Klan News