Sali Berisha: “Këtë bilanc nuk po e bëj sot për faktin se këto 7 muaj, qeveria ime miratoi rreth 1150 ligje marrëveshje dhe vendimi, apo dy herë më shumë se në vitin 2005, por e bëj sot këtë i bindur pasi gjatë këtyre muajve dhe në këto 1115 ligje, marrëveshje dhe vendime Shqipëria pësori ndryshime transformuese më të mëdha në 16 vitet e fundit.
Në rrafshin politik kjo është periudha në të cilën Shqipëria dhe shqiptarët realizuan ndryshime epokale dhe historike. Shqiptarët në Kosovë shpallën pavarësinë, Shqipëria mori ftesën dhe firmosi protokollin e anëtarësimit në NATO. Hapi negociatat për liberalizimin e plotë të vizave me BE, Shqipëria rriti kontributin e saj modest për paqen dhe sigurinë në botë.
Reformat politike të janar-gusht 2008, realizuan ndryshimet e mëdha kushtetuese me të cilat u ndryshua sistemi zgjedhor dhe u shmangën krizat absurde kushtetuese. U fuqizua dhe mori profil të plotë perëndimor parlamentarizmi në Shqipëri. Më këto reforma u vendos në baza të reja ligjore sistemi gjyqësor i vendit. U thellua si asnjëherë më parë decentralizimi i pushtetit.
Në këtë periudhë lufta me zero tolerancë kundër krimit të organizuar trafiqeve dhe korrupsionit njohu rezultate të thella. Në fushën fiskale të biznesit dhe të buxhetit, privatizimi dhe liberalizimi e ekonomisë u ndërmorën reforma të paprecedentë. Kjo ishte periudha e ritmeve më të larta të ndërtimit dhe modernizimit të infrastrukturës së vendit, e rritjes më të madhe të rrogave dhe pensioneve.
Periudha e fillimit të qëndrueshëm të boomit ekonomik dhe boomit të investimeve të huaja, hapave më të shpejta të Shqipërisë drejt moshës digjitale. Viti 2008 është sigurisht viti i mbarë njerëzimit, por mbi të gjitha do të thosha është viti i shqiptarëve.
Më datën 3 prill të vitit 2008, Shqipëria përjetoi ndryshimin më të madh në samitin e Bukureshtit, mori ftesën për anëtarësim në NATO. Ftesa për anëtarësim në NATO është arrija më e madhe e shqiptarëve për sigurinë e lirinë e tyre në tërë historinë që nga koha e Skënderbeut deri më sot. Ajo shënon rikthimin e historisë së kombit tonë nga histori shekujsh, pushtimesh, copëtimesh, diktaturash, varfërie dhe mjerimi. Në histori lirie të sigurte dhe të ardhme që meritojnë. Shënon rikthimin e Shqipërisë dhe shqiptarëve në gjirin e familjes së popujve të lirë u takojmë.
Ftesa e Shqipërisë për anëtarësim në aleancën më të madhe të lirisë së të gjitha kohërave, ishte rezultati i kontributit të të gjithë atyre që shembën murin e Berlinit në Shqipëri. Ndërtuan në Shqipëri sistemin demokratik dhe ekonominë e tregut. Vendosën në 16 vjet bashkëpunimin më të ngushtë më luajal me Aleancën e Atlantikut të Veriut. Por për Shqipërinë, për vite të tërë ftesa për në NATO dhe integrimi euroatlantik, për shkak të mureve të kriminalitetit, korrupsionit dhe dhunimit të zgjedhjeve ishin shndërruar në një horizont të paarritshëm. Në ftesën e Shqipërisë në NATO me 3 prill të vitit 2008, një rol përcaktues kanë patur lufta me zero tolerancë kundër krimit të organizuar dhe mafies e qeverisë që unë kryesoj. …/tvklan.al