Kryeministri sllovak Robert Fico ka dalë jashtë rrezikut për jetën pasi u qëllua në qytetin Handlova, gati 200 kilometra në verilindje të kryeqytetit sllovak teksa po dilte nga mbledhja e qeverisë mbasditen e së mërkurës.
Autori i armatosur qëlloi Fico-n pesë herë. Kryeministri sllovak i nënshtrua një operacioni në spitalin Banska Bistrica pasi më herët gjendja e tij shëndetësore ishte e rëndë. “Isha shumë i tronditur, për fat të mirë operacioni shkoi mirë dhe mendoj se në fund ai do të mbijetojë, nuk është në një situatë kërcënuese për jetën në këtë moment,” u shpreh zëvendëskryeministri sllovak.
Ministri i Brendshëm Matus Sutaj Estoka e përshkroi atë si një atentat të motivuar politikisht. Kryeministri u qëllua nga shumë afër me katër plumba që i prekën atij disa pjesë të trupit. Autori i sulmit u kap në vendngjarje. Ai është 71-vjeçari Juraj Cintula nga qyteza jugore sllovake Levice, një shkrimtar i njohur me bindje të majta.
Presidenti i sapozgjedhur i Sllovakisë Peter Pellegrini bëri thirrje për qetësimin e tensioneve politike në shoqëri pas atentatit ndaj kryeministrit Robert Fico.
“U bëj thirrje të gjitha partive politike në Sllovaki që të ndërpresin përkohësisht ose të ulin ndjeshëm fushatën zgjedhore për Parlamentin Evropian. Sepse një fushatë sjell natyrshëm me vete konfrontime, shënjestrim dhe akuza të ndërsjella mes politikanëve. Përballja e mëtejshme është gjëja e fundit që i duhet Sllovakisë sot.”
Mediat shkruajnë se 71 vjeçarin nga dëshmitë e para autoriteteve pretendon se nuk pajtohet me politikën e qeverisë dhe qëndrimin e saj ndaj medias shtetërore. Të shtënat ndodhën në ditën kur parlamenti filloi të diskutonte propozimin e qeverisë për të shfuqizuar transmetuesin publik të Sllovakisë. Mijëra sllovakë kanë protestuar kundër reformës së propozuar të transmetuesit publik javët e fundit.
Fico u kthye në pushtet në Sllovaki vitin e kaluar, pasi kishte shërbyer dy herë si kryeministër, nga 2006 në 2010 dhe përsëri nga 2012 në 2018. Mandati i tij i tretë e bëri atë kreun e qeverisë më jetëgjatë në historinë e Sllovakisë.
Pas fitores së tij në zgjedhje, qeveria e re ndaloi menjëherë dërgesat e armëve në Ukrainë. Mijëra njerëz dolën vazhdimisht në rrugë anembanë Sllovakisë për të protestuar kundër politikave pro-ruse të Ficos, duke përfshirë planet për të ndryshuar kodin penal dhe për të marrë kontrollin e medias publike.
Rikthimi i Ficos në pushtet shkaktoi shqetësim në mesin e kritikëve të tij se ai dhe partia e tij e cila është përfshirë prej kohësh nga skandale që do ta largonin Sllovakinë nga kursi i saj pro-perëndimor. Ai u zotua të ndiqte një politikë të jashtme “sovrane”, premtoi një qëndrim të ashpër kundër migracionit dhe organizatave joqeveritare dhe bëri fushatë kundër të drejtave të LGBTQ+.
Klan News