Kryeministri i Shqipërisë Ilir Meta do të përfundojë sot vizitën e parë zyrtare të një kryeministri shqiptar në Kosovë. Gjatë takimeve të djeshme, Kryeministri Meta shprehu gadishmërinë e qeverisë së tij për bashkëpunim më të ngushtë mes Kosovës dhe Shqipërisë, në shërbim siç tha ai të paqes dhe stabilitetit si dhe sigurisë në rajon. Meta zhvilloi takime në këshillin kalimtar të Kosovës ku morën pjesë dhe përfaqësues serbë të Kosovës.

Gjatë takimit me kryeadministratorin e OKB-së Kushner, kreu i qeverisë shqiptare diskutoi veçanërisht në luftën kundër krimit të organizuar dhe për arsimin në shqip. Meta zhvilloi dje takime të veçanta dhe me krerët e tre partive më të mëdha të Kosovës, Rugovën, Thaçin dhe Haradinaj. Përfaqësuesit politik të shqiptarëve të Kosovës e cilësuan si shumë të rëndësishme vizitën e Kryeministrit Meta dhe një hap pozitiv pasi sipas tyre Shqipëria po luan një rol të rëndësishëm në rrjedhat demokratike.

Ndërsa përfaqësuesit e serbëve të Kosovës e kritikuan këtë vizitë. Ata kërkuan që Meta dhe qeveria e tij fillimisht duhet të vendoste marrëdhënie me qeverinë e Beogradit. Kryeministri Shqiptar Ilir Meta, mori pjesë dje dhe në ceremoninë e përurimit të kompanisë së parë shqiptare të sigurimeve në Kosovë, INSIG.

Kreu i qeverisë shqiptare shprehu në Prishtinë qëndrimin e Shqipërisë për avancimet e mëtejshme të bashkëpunimit mes Shqipërisë dhe Kosovës si në planin politi, ashtu dhe në planin ekonomik dhe kulturor./tvklan.al

Gazetar: Vladimir Lame