Lajme Arkiva – TV Klan 2004
Zgjerimi i Europës së shpejti do të mbërrijë edhe në Apolloni. Ky ishte komenti i vetëm i kryeministrit Fatos Nano, i pyetur mbi rezolutën e Këshillit të Europës për Shqipërinë. Zoti Nano dhe bashkëshortja e tij ishin në Apoloni me rastin e festës së punëtorëve 1 Maji.
Fatos Nano: “Ditë europiane edhe për ne në Fier, ashtu si në të gjithë Shqipërinë, njerëzit janë me shpresë me gëzim, janë gjithnjë e më të qetë në punët dhe iniciativat e tyre sipërmarrësit, në një shoqëri demokratike, në një vend të mrekullueshëm, në një stinë të bukur dhe besoj duhet të jemi sa më pranë tyre, në këtë zhvillim europian të vendit”.
Gazetarja: Zoti Nano, ndonjë koment me raportin Këshillit Europian?
Fatos Nano: “Sapo përshëndeta zgjerimin e Europës që po afrohet edhe në Apolloni”.
Nuk bëhet fjalë për ngrirje të marrëdhënieve me Shqipërinë, ja si e komenton rezolutën e KE-së deputeti socialist Petro Koçi.
Petro Koçi: “Nuk bëhet fjalë për ngrirje të marrëdhënieve me Shqipërinë, bëhet fjalë për një fjali standard, që u kërkohet të gjitha vendeve që të zbatojnë rregullat dhe standardet ndërkombëtare përsa u përket zgjedhjeve. Në planin praktik, nuk do të ketë asnjë lloj problemi dhe nëse atje thuhet se mund të rikonsiderohen kredencialet e delegacionit, bëhet fjalë për gjithë delegacionin, ku është anëtar dhe zoti Berisha”.
Festa e 1 Majit e organizuar në Apoloni të Fierit, paraqiti me këngë e valle grupet myzeqare, por edhe këngëtarë të ardhur enkas për këtë ditë në Apoloni.
Ndërsa në qytetin e Fierit, kryeministri Fatos Nano përuroi fillimin e punimeve për zgjerimin e rrugës “Ramiz Aranitasi”, rikonstruksionin e rrugës “Jani Bakalle”, si dhe rehabilitimin e infrastrukturës në lagjen “Sheqi i madh”. Këto punime kryhen me fonde të buxhetit të shtetit, Ministrisë së Rregullimit të Territorit dhe Turrizmit dhe bashkisë së Fierit./tvklan.al
Gazetare – Danjela Kostandini