Lajme Arkiva – TV Klan 2004

Kryeministri Fatos Nano e ka cilësuar të suksesshme punën e qeverisë në analizën 6-mujore të ekzekutivit shqiptar. Në 24 mbledhje të këshillit të ministrave janë miratuar 71 projektligje, 357 projektvendime, 11 udhëzime dhe një akt-normativ.

Pa marrë parasysh vlerësimet negative të faktorit ndërkombëtar dhe opozitës në vend, kryeministri Nano vlerësoi, se Shqipëria gjatë qeverisjes së tij ka shënuar progres në këndvështrimin makroekonomik, pavarësisht paqartësive të viteve ‘99-2003, vërehet rritje në nivelin 7% sipas tij. Hapa pozitiv janë ndërmarrë për sistemin legal, luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Vëmendje të veçantë është treguar në procesin e privatizimit dhe përmirësimin e klimës së biznesit.

Fatos Nano: “Këto janë prova që nuk mund të mbyten nga zhurma e atyre që me paaftësi për të krijuar alternativa të vërteta qeverisëse, pretendojnë të ndërtojnë karrierën e vetë politike, apo dhe pasurimin e tyre, mbi baltën që hedhin ndaj atdheut tonë të dashur në hapje dhe integrim”.

Shefi i qeverisë ka radhitur sukseset e çdo ministrie në veçanti, por nuk u ndal konkretisht në to, ndërsa pranonte rezultatet e pakënaqshme në disa dikastere.

Fatos Nano: “Për këtë 6-mujor, Janar-Qershor 2004, ka disa ministri me rezultate ende të pakënaqshme në realizimin e matricave të programuara të akteve dhe në radhë të parë kjo flet për domosdoshmërinë e rritjes së nivelit profesional, të strukturave që përgatisin aktet për vendimmarrje”.

Kryeministri Nano kërkoi ritme më të shpejta pune, sidomos për plotësimet legjislative, si dhe ngritje të nivelit bashkëkohor të planifikimit. Brenda javës së parë të shtatorit, të gjitha ministritë duhet të rishikojnë sipas tij, pjesën e mbetur të matricave 35 mujore në përputhje me ambiciet e qeverisë për zhvillim.

Progresi thelbësor sipas shefit të ekzekutivit, i dedikohet Ministrisë së Financave ku vlerësohet rritja ekonomike e parashikuar 6%, niveli i inflacionit 2-4%, të ardhurat fiskale 5.6 miliardë lekë, ndërsa të ardhurat e buxhetit të shtetit rezultuan për këtë 6-mujor 7.5% më të larta se e njëjta periudhë e vitit të kaluar./tvklan.al

Gazetare: Arta Tozaj